Aktualitet16 Prill 2019, 10:55

Kush e mohon masakrën e Reçakut, është kriminel!

Shkruar nga Pamfleti
Kush e mohon masakrën e Reçakut, është kriminel!

Kush e mohon masakrën e Reçakut, është kriminel!

Në Reçak forcat serbe kanë vrarë më 15 janar 1999 së paku 45 civilë shqiptarë. Regjimi i atëhershëm i Beogradit i pati quajtur viktimat «terroristë». Kur presioni ndërkombëtar i rrit për të hulumtuar në detaje masakrën, qeveria e Sllobodan Millosheviçit angazhoi një grup mjekësh nga Bjellorusia. Meqë ata ishin vetëm instrument i propagandës së Millosheviçit, Perëndimi kërkoi që një ekip i kryesuar nga mjekja finlandeze Helena Ranta të kontrollojë viktimat e masakrës.

Shkruan Enver Robelli

Kush e mohon masakrën e Reçakut – është kriminel. Pa marrë parasysh a është rojtar në shkollën «Desanka Maksimoviq» në Shabac, president i Serbisë apo ministër i Jashtëm i Beogradit. Politikanët serbë të Kosovës (dhe jo vetëm ata, por edhe bashkëkombësit e tyre nga Leposaviqi në Kamenicë) duhet ta kenë të qartë se përqeshja e viktimave të luftës, mohimi i krimeve të luftës të kryera nga forcat serbe, mospranimi i fajit për represionin, aparteidin dhe diskriminimin e shqiptarëve nga ana e Beogradit, do të kenë pasoja edhe për perspektivën e tyre afatmesme në Kosovë.

Si mendojnë ata të kenë të ardhme në Kosovë duke fyer viktimat dhe lënduar kujtesën e shqiptarëve të Kosovës? Pranimi i krimeve në Kosovë nga Serbia dhe serbët e Kosovës dhe kërkimfalja janë parakusht për fillimin e normalizimit të raporteve mes dy popujve. Kur të bëhet kjo, gjithsesi edhe shqiptarët pastaj duhet të pastrojnë oborrin e tyre nga kriminelët e tyre që kanë njollosur idenë për çlirimin e Kosovës.

Javëve të fundit nga qeveria e Kosovës janë përzënë dy ministra nga komuniteti serb që kanë mohuar krimet e luftës të kryera nga forcat serbe në Kosovë. Ky ka qenë vendim i duhur dhe duhet të bëhet rregull: kush mohon krimet, shkon në shtëpi. Kosova nuk duhet të lejojë të shndërrohet në Bosnjë të dytë, ku çdo ditë Millorad Dodiku vret për së dyti viktimat që i vranë më parë Radovan Karaxhiqi dhe Ratko Mlladiqi.

Në Reçak forcat serbe kanë vrarë më 15 janar 1999 së paku 45 civilë shqiptarë. Regjimi i atëhershëm i Beogradit i pati quajtur viktimat «terroristë». Kur presioni ndërkombëtar i rrit për të hulumtuar në detaje masakrën, qeveria e Sllobodan Millosheviqit angazhoi një grup mjekësh nga Bjellorusia. Meqë ata ishin vetëm instrument i propagandës së Millosheviqit, Perëndimi kërkoi që një ekip i kryesuar nga mjekja finlandeze Helena Ranta të kontrollojë viktimat e masakrës.

Në një intervistë për shtypin zviceran Ranta ka thënë se pas hulumtimeve është e qartë se plumbat mbi banorët e Reçakut janë shkrepur nga afërsia dhe jo nga distanca prej 200 metrash, siç pretendonin ekspertët serbë dhe bjellorusë; ekspertja finlandeze e di se nga cilat armë është shtënë dhe me çfarë fishekësh, ajo e di se të vrarët në momentin e vrasjes kanë bartur ato rrobe me të cilat janë gjetur (dhe jo uniforma të UÇK-së) dhe se viktimat janë vrarë aty ku janë gjetur (nuk ka pasur zhvendosje të tyre). Në vitin 2000 Ranta i kishte të gjitha dëshmitë se Reçaku nuk ka qenë i inskenuar. Këtë ajo e ka konfirmuar edhe si dëshmitare para Tribunalit të Hagës.

Nga propagandistët serbë pretendohet se NATO e inskenoi masakrën e Reçakut për të sulmuar Serbinë. Kjo është jashtë çdo logjike, sepse masakra, krime e dëbime serbe ka pasur edhe para 15 janarit 1999, pra para krimit masiv në Reçak. Në vjeshtë të vitit 1998 NATO e autorizoi sekretarin e saj të përgjithshëm Javier Solana për të dhënë urdhër për aktivizmin e sulmeve ajrore kundër Serbisë. Gjatë «ofensivës së verës» forcat serbe kishin dëbuar mijëra dhe vrarë qindra civilë sidomos në Drenicë dhe Dukagjin.

Në atë kohë në mesin e serbëve të Kosovës nuk kishte asnjë figurë publike që pati guximin të protestojë kundër terrorit të Beogradit. Shumica u bënë përkrahës të vullnetshëm të ekzekutorëve – me vepra e me fjalë. Kjo është njëra prej arsyeve që shumica e serbëve të Prishtinës në qershor 1999 ikën bashkë me forcat serbe, sepse e dinin se gati një dekadë i kishin duartrokitur terrorit të Sllobodan Millosheviqit në Kosovë. Ashtu si mohuesit e Holokaustit edhe mohuesit e krimeve serbe në Kosovë (qofshin ata nga Serbia apo nga Kosova) përpiqen t’i njollosin faktet dhe përmes resentimenteve dhe gënjeshtrave të «bindin» opinionin perëndimor se intervenimi kundër Serbisë është bazuar mbi një «mashtrim të madh».

Mohuesit e Holokaustit edhe mohuesit e krimeve serbe në Kosovë i bashkon metoda e njëjtë: ata falsifikojnë burime, manipulojnë fakte, keqinterpretojnë deklarata për të ndjekur interesat e tyre politike. Mohuesit e Holokausitit thonë se Izraeli nuk do të ekzistonte po të mos «shpikej Auschwitzi». Në rastin e Kosovës negacionistët serbë thonë se po të mos «shpikej Reçaku», NATO nuk do të ndërhynte dhe, rrjedhimisht, nuk do të shkëputej Kosova nga Serbia.

Forum Enver Robelli masakra e Reçakut