Futbolli në Shqipëri është peng i një njeriu të vetëm: Armand Dukës. Ka prej 16 vjetësh që livadhis sipas qejfit në krye të Federatës Shqiptare të Futbollit, duke komanduar njëlloj sic bënte Enveri në Partinë e Punës.
Enveri i futbollit nuk i do afër njerëzit që kanë kontribut në futboll, që kanë shkruar historinë e futbollit shqiptar dhe janë ikonat e tij. Ku i ka Duka emra si Sokol Kushta, Hysen Zmijani, Agustin Kola, Vasil Ruci e shumë e shumë të tjerë, legjenda të futbollit shqiptar? Pse nuk i merr në federatë të drejtojnë politikat futbollistike dhe të japin këshillat e tyre të vlefshme për akademitë sportive të klubeve?
Shumica e futbollistëve të mëdhenj kanë bërë edhe shkollën e futbollit si Astrit Hafizi e ndonjë tjetër, por Duka preferon servilët, “kamikazët” e tipit Shulku që firmosin cdo dokument që i intereson presidentit.
Në federatë shumica e atyre që drejtojnë komisionit ose kanë qenë futbollistë mediokër, ose s’kanë lidhje me futbollin, ndërsa shumica e atyre që drejtojnë zyrat rajonale të federatës janë ushtarë besnikë të tij.
Nuk është rastësi që sekretarët që largohen “vjellin” helm ndaj Dukës, sepse njohin mirë marifetet e tij të drejtimit. Duka fillimisht të bën pis, pastaj të përdor e në fund të flak tutje si limon i shtrydhur, prandaj nuk i do legjendat sepse ata kanë dinjitet dhe nuk hedhin firmën mbi projektet e tij të shkatërrimit të futbollit. Edhe një Demollari që ka në federatë, personalitet i padiskutueshëm i futbollit shqiptar, nuk i ka dhënë ndonjë funksion kushedi.
Vendimet që marrin komisionet janë bazuar mbi sms-të e Enverit të FSHF-së, që bën lojëra me presidentët e klubeve me filozofinë “tërhiq e mos e këput”. Edhe pse i paregjistruar zyrtarisht në gjykatë, Duka dhe Komiteti i tij Ekzekutiv (një lloj bande në duart e tij, shumica biznesmene e politikane te tipit Enkelejd Alibeaj e shume pak ish-futbolliste si Vasil Bici e Bardh Jera), vijojnë të ushtrojnë veprimtarinë e tyre kundër cdo parimi ligjor, madje duke marrë edhe vendime si ai i para pak javëve kur me një të rënë të lapsit Komiteti vendosi që e drejta televizive e kampionatit t’i shitet kompanisë së Dukës, “Supersport”, një superskandal i padëgjuar.
Një pjesë e atyre që punojnë në zyrat e federatës nuk shquhen si njerëz me dinjitet, por si imoralë dhe të përfshirë në afera e ryshfete. E si mund të pretendohet të kemi futboll të ndershëm, kur të gjithë njerëzit që rrethojnë Dukën e kanë nga një “cen”?
Kushdo që ngre krye dhe flet të vërtetën, është i destinuar të dalë jashtë rradhëve, pasi Enveri i futbollit i ka ngritur si duhet mekanizmat e dëmtimit të imazhit të kundërshtarëve dhe të pabindurve si dhe marifetet e përjashtimit. Sot futbolli shqiptar është në rrezik serioz, sepse ai është peng i mafias së trukimeve dhje i një njeriu që po e shndërron futbollin kombëtar në një biznes personal. /Pamfleti Sport