Policia e Shtetit ka goditur një grup kriminal që falsifikonte kryesisht letra greke dhe italiane me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit të shqiptarëve për në vendet e BE-së, përfshirë Anglinë, apo tranzit jashtë unionit në SHBA dhe Kanada kundrejt fitimit.
“Dokumentet prodhoheshin për persona që e kanë të ndaluar udhëtimin në vendet e zonës Schengen dhe për persona të ndryshëm të cilët do t’i përdornin këto dokumente për vendet e BE-së për të emigruar në mënyrë të paligjshme apo tranzit për të shkuar jashtë Bashkimit Europian” thekson policia.
Tre pjesëtarë të grupit kriminal të dënuar më parë janë arrestuar, ndërsa është sekuestruar edhe laboratori i falsifikimit në Durrës pas një pune intensive 6-mujore. Të arrestuarit sipas policisë në bashkëpunim me një tjetrin kishin një ambient në Durrës, që e përdorin si bazë për të kryer falsifikimet, ndërsa aktivitetin e zhvillonin në Tiranë, pasi gjenin klientë, kryenin falsifikimin e dokumenteve, me qëllim kalimin në mënyrë të paligjshme të kufirit.
Të arrestuarit janë:
Th. T., 61 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për falsifikim të dokumenteve.
V. S., 63 vjeç, lindur në Fier dhe banues në Tiranë, i dënuar dy herë më parë për falsifikim dokumentesh
P. B., 65 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë.