Lacio barazoi me Atalantën 1-1 gjatë ditës së sotme, në kuadër të xhiros nr.36 në Serinë A italiane, një ndeshje ku Atalanta e Etrit Berishës ishte shumë pranë fitores dhe pati më shumë raste për shënim. Në fakt, pengesë për fitoren e tyre u bë portiere tjetër shqiptar, Thomas Strakosha, i cili pati një performancë të shkëlqyer dhe rezultai përcaktues për Lacion në këtë ndeshje. E vërteta është se barazimi nuk e ndihmoi sa duhet Lacion të shkëputet në klasifikim kundrejt Interit.
Ishte pikërisht Strakosha që rezultoi vendimtar me ndërhyrjet e tij në këtë takim, duke i dhuruar një pikë të çmuar skuadrës së Simone Inzagit, që lufton për një vend në UEFA Champions League. Vlerësimet në përfundimin e takimit kanë qenë maksimale për Strakoshën, duke e shpallur si lojtarin më të mirë të takimit, por nuk mbeti pas edhe Berisha që mori notë shumë të lartë.
Vlerësimi maksimal për Strakoshën ka ardhur nga faqja pranë klubit lacial, “Laziopress”, e cila vlerëson gardianin kuqezi me notën 7.5. “Nuk është vetëm goli i dy minutave të para që pësoi Strakosha nga Barroë. Ai arriti të ndalojë Ilicic në një zonë të vogël dhe të shpëtojë portën nga gjuajtjet e Freuler dhe Gomez. Pikë e marrë falë pritjeve të tij”, përfundon vlerësimi për shqiptarin.
Duke folur për “Premium Sport”, Strakosha është shprehur se ka bërë vetëm detyrën e tij ndaj Atalantës. “Periudha negative e rezultateve? Ne kemi provuar se jemi një ekip i fortë pavarësisht momenteve të vështira. Unë bëra atë që duhet të bëja, për të mbrojtur rezultatin që kishin arritur shokët e mi. Nuk mund t’i fitojmë të gjitha ndeshjet, ka ndikuar edhe lodhja, por tashmë jemi të fokusuar për takimin ndaj Krotones”, është shprehur Strakosha. Vlerësimi për gardianin kuqezi ka qenë maksimal, pasi loja e tij në fushë i dha një pikë Lacios në një takim mjaft të vështirë, ku Atalanta e Berishës bëri një ndeshje sulmuese të pazakontë. Të dy gardianët shqiptarë ishin në qendër të mediave online, duke marrë notë maksimale për paraqitjen e tyre në fushë, në një ndeshje ku sot ishin kundërshtarë përballë njëri-tjetrit. /Pamfleti Sport