Bota 5 Qershor 2019, 13:34

LDK: Heqja e taksës nuk e zhbllokon dialogun, Serbia po e përdor si pretekst

Shkruar nga Pamfleti
LDK: Heqja e taksës nuk e zhbllokon dialogun, Serbia po e përdor si

LDK: Heqja e taksës nuk e zhbllokon dialogun, Serbia po e përdor si pretekst

Ndonëse presioni i BE-së për heqjen e taksës ndaj produkteve serbe sa vjen e shtohet, institucionet e Kosovës mbeten të palëkundura në mbajtën e tarifës në fuqi. Teksa heqjen e taksës e kërkoi edhe delegacioni gjermano-francez që e vizitoi të hënën Kosovën, deputetët vlerësojnë se edhe nëse taksa hiqet Serbia nuk do të rikthehet në tavolinë të bisedimeve, shkruan Gazeta “Zëri”.

Në anën tjetër deputetja nga radhët e opozitës nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Besa Gaxherri, i ka thënë “Zërit” se edhe nëse institucionet e vendit do ta hiqnin taksën përsëri Serbia do të gjente një pretekst për të mos u rikthyer në tavolinën e bisedimeve.

“Unë nuk mendoj që nëse hiqet taksa gjithçka do të jetë ndryshe ose më mirë me Serbinë. Ne me Serbinë kemi probleme sepse ajo nuk është e gatshme ta pranojë që Kosova është shtet i pavarur, ndërsa sa i përket taksës, natyrisht që ky veprim nuk është dashur të ndodhë në fillim kur është vendosur, sepse ka pasur forma të tjera si embargo ose reciprocitet, sepse taksa e ka një emër të papranueshëm për funksionimin e ekonomisë së tregut të lirë në Evropë, prandaj kemi edhe një presion ‘të arsyeshëm’ nga BE-ja”, ka thënë ajo për “Zërin”,

Mirëpo sipas saj taksa nuk duhet të hiqet me qëllim që të zhbllokohet dialogu, sepse Serbia përsëri do të vazhdojë me “avazin” e vjetër.

“Megjithatë taksa nuk duhet të tërhiqet tani sa për të bërë dialog me Serbinë, sepse nuk kemi qe 7 vjet asnjë rezultat prej këtij dialogu. Serbia së bashku me faktorin ndërkombëtar duhet të bindet që të ulemi në tavolinë si të barabartë dhe të merremi vesh si dy shtete të barabarta. Përndryshe unë jam shumë e sigurt që edhe nëse hiqet taksa Serbia do të vazhdojë me avazin e vet të vjetër”, ka shtuar ajo. /ZËRI

Rajoni Besa Gaxherri dialogu Kosovë-Serbi heqja e taksës Lidhja Demokratike e Kosovës