Bota11 Shtator 2019, 17:55

Liderët arabë dënojnë planin e Netanyahut për aneksimin e territoreve palestineze

Shkruar nga Pamfleti
Liderët arabë dënojnë planin e Netanyahut për aneksimin

Liderët arabë dënojnë planin e Netanyahut për aneksimin e territoreve palestineze

Liderët arabë kanë dënuar planin e Netanyahut për aneksimin e disa pjesëve të mëdha të territoreve palestineze në rast se fiton zgjedhjet e javës së ardhshme. Ata kanë thënë se ky plan do t’i vriste të gjitha gjasat për paqe.

Liga Arabe mbajti një takim emergjent të martën në mbrëmje pasi kryeministri izraelit njoftoi për planin e tij gjatë një konference për mediat.

Ministrat e jashtëm të vendeve arabe, të cilët u mblodhën në Kajro të Egjiptit, e dënuan ashpër këtë plan dhe thanë se ai është zhvillim i rrezikshëm dhe agresion i ri i Izraelit përmes shpalljes së qëllimit për të shkelur ligjet ndërkombëtare.

“Liga i cilëson këto deklarata si rrezikim i gjasave për ndonjë përparim në procesin e paqes dhe do t’i shkatërrojë të gjitha themelet e tij”, thanë ministrat.

Ministri i jashtëm jordanez, Ayman Safadi, tha se plani i Netanyahut është një premtim i tmerrshëm zgjedhor dhe paraqet eskalim të rrezikshëm që shkatërron themelet e procesit të paqes.

Netanyahu e prezantoi planin e tij për aneksimin e një pjese të Bregut Perëndimor duke përdorur një hartë të madhe, në të cilën territori i Izraelit ishte i zgjeruar në drejtim të Luginës së Jordanisë.

Presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, tha se do të tërhiqet nga të gjitha marrëveshjet e mëparshme me qeverinë izraelite, nëse Izraeli fillon të zbatojë planin e Netanyahut, shkruan “The Guardian”./ZËRI

Bota Ayman Safadi liderëlt arabë ministri i jashtëm jordanez territoret palestineze