Sapo ka nisur mbledhja e KLGJ për shkarkimin e gjyqtares së njohur, Enkelejda Hoxha, që u arrestua gjatë një operacioni të SPAK në gjykatën e Krujës.
Bëhet me dije se Hoxha nuk është paraqitur gjatë mbledhjes, për shkak të mosprezencës së saj ka reaguar Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani.
KLGJ i kishte kërkuar drejtorisë së burgjeve që të bënte të mundur prezencën e E.H.
METANI:Eshtë situatë delikate. Si Artur Metani e mirëkuptoj e nuk do doja kurrë të kishte një situatë të tillë, si kjo që po kalon magjistratja. Do i bëja thirrje të rishikonte këtë qëndrim sepse edhe sjellja dinjitoze është e rëndësishme në këtë proces.
Por si Inspektori i Lartë i drejtësisë më duhet të jem dhe jam i ftohtë ia kemi dhënë cdo mundësi magjistrates. Kam mirëkuptuar shtyrjet sepse e mirëkuptoj se një procedim disiplinor shkakton tronditje. Por procesi duhet të vijojë. Unë isha kundër shtyrjes edhe herën e kaluar.
Nuk jam dakord që të shtyhet, nuk e shoh si arsye të ligjshme, të paktën me aq sa dëgjova në këshill nga deklarata e saj. E para sepse magjistratja është njoftuar dhe vetë avokati gjithashtu është njohur. Mbase këshilli duhet ta kontaktojë që të kuptojë se pse nuk është ende këtu.
SHKARKIMI I GJYQTARES
Kujtojmë se gjyqtarja u pezullua nga KLGJ pas arrestimit me urdhër të SPAK. Gjyqtarja Hoxha akuzohet për korrupsion dhe shpërdorim detyre pasi në funksionin e saj publik lironte persona me dënime për vepra të rënda penale, kundrejt përfitimeve personale.
Në fakt gjyqtarja nuk ishte e vetmja, pasi bashkë me të u arrestuan dhe 9 persona të tjerë teksa rol kryesor në skemën korruptive kishin sekretarja e Gjykatës, Manuela Mallkuçi dhe avokati Aldo Tabaku.