Llalla refuzoi t’i jepte Donald Lu dosjen e aferës CEZ-DIA: Preken emra të rëndësishëm si Meta e Berisha dhe rrezikon stabilitetin e Shqipërisë

Llalla refuzoi t’i jepte Donald Lu dosjen e aferës CEZ-DIA: Preken emra të rëndësishëm si Meta e Berisha dhe rrezikon stabilitetin e Shqipërisë

Ish kryeprokurori tentoi ta paraqiste ambasadorin e SHBA si një “sekser” të rëndomte që kërkonte të shpëtonte nga gjykimi “Bankers Petrolium” dhe si diplomatin që kërkoi arrestimin e kryeparlamentarit Meta. E vërteta e konfliktit Llalla-Lu ka qënë kërkesa që t’i dorëzohej dosja e skandalit “CEZ-DIA” Departamentit të Drejtësisë së SHBA dhe të hetohej trafiku i kokainës me Kolumbinë, që realizohej nga Agron Kuliçi

Adriatik Llalla, ish Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë tashmë është nën hetim penal për pastrim parash, tjetërsim pronash dhe kalim parash të padeklaruara përmes kufirit tokësor.



Eshtë i vetmi rast në historinë e shtetit shqiptar që “rojtari” i ligjit dhe “koka” e organit të akuzës ka qënë i zhytur në krime më shumë se sa krimineli dhe trafikanti më i rëndomtë që kishte për detyrë të hetonte.

Por kur ishte në krye të Prokurorisë dhe kishte mbështetjen nga pas të Sali Berishës dhe Ilir Metës, gramshioti Adriatik Llalla i “priste shpata” nga të gjitha anët.

Aq shumë kishte marrë përpjetë Llalla, falë mbështetjes së kësaj dysheje krimi në Shqipëri, sa jo vetëm politikanët dhe qytetarët shqiptarë i dukeshin miza, por filloi të “kruhej” dhe me përfaqësuesit e partnerëve ndërkombëtarë e mbështetësit e fuqishëm të Shqipërisë, SHBA e BE.

Rasti më konkret ka qënë përlasja e Adriatik Llallës me ambasadorin amerikan në Tiranë, tashmë i emëruar në Kirgistan, Donald Lu.

Ish kryeprokurori përhapi legjendën urbane sipas të cilës në takimin që Donald Lu kishte zhvilluar me të në selinë e Prokurorisë së Përgjithshme i kishte kërkuar lehtësira për “Bankers Petrolium”, kompani nafte kjo.

Llalla me atë mendësinë e vet prej fshatari tentoi ta paraqiste ambasadorin e SHBA Donald Lu si një “sekser” të rëndomte të përfshirë në presionin ndaj drejtësisë shqiptare në favor të një kompanie të huaj nafte si “Bankers Petrolium”, ndonëse Tiku s’kishte asnjë provë.

Kur pa se Donald Lu as që u tërhoq nga akuzat kundër tij, duke e cilësuar si një njeri që mbronte politikanët e korruptuar dhe krimin në pushtet, Adriatik Llalla lëshoi akuzën tjetër kundër ambasadorit të SHBA, atë të kërkesës për arrestimin e Ilir Metës, asokohe kryetar Kuvendi.

Duke mos hyrë më thellë në debatet e asaj kohe, apo shpalljen e Llallës me gjithë familjen e tij biologjike+Rovena Gashin si të padëshirueshëm nga SHBA dhe për më tepër me firmën e sekretarit amerikan të shtetit dhe shpjegimin përkatës, po ndalemi tek “arrestimi i Metës”.

Burime nga ambasada amerikane në Tiranë na shpjegojnë se nuk ka asnjë të vërtetë as në argumentin që paraqet Adriatik Llalla si shkak për përplasjen me Donald Lu, që paska qënë “kërkesa” për lehtësi gjyqi të “Bankers Petrolium”,  e as se Lu paska kërkuar arrestimin e Metës.

Burimi saktëson se e vërteta e kulluar është se ambasadori amerikan në Tiranë Donald Lu ka kërkuar nga Adriatik Llalla dosjen e aferës së CEZ-DIA. Më saktë ka kërkuar disa fashikuj të kësaj dosjeje, fotokopje të saj. Kjo, pasi dhe organet ligjzbatuese të SHBA kishin bashkëpunuar me ato çeke në këtë drejtim dhe kishin dokumentat dhe provat e veta, që do t’i bashkonin me ato që kishte

Prokuroria shqiptare për të kopsitur dosjen e plotë dhe për t’ia dhënë sërish organit shqiptar të akuzës për hetim të mëtejshëm dhe për ta dërguar në gjykatë për gjykim.

Një kërkesë të tillë Lu e ka bërë duke e argumentuar me faktin se më 2016 ishte nënshkruar një marrëveshje nga pala shqiptare me FBI dhe se organet ligjzbatuese të SHBA i qëndrojnë kësaj marrëveshjeje, për të ndihmuar organet homologe shqiptare të luftën ndaj krimit e korrupsionit.

Pra e vërteta e kulluar është se ambasadori Donald Lu ka kërkuar nga Llalla që t’i dorëzonte një kopje të dosjes së skandalit “CEZ-DIA” Departamentit të Drejtësisë së SHBA.

Kujtojmë se shteti shqiptar humbi nga afera e energjisë CEZ-DIA plot 500 milionë euro.

Ish Prokurori i Përgjithshëm ka refuzuar në mënyrë epike kërkesën e Donald Lu, me arsyetimin se “në dosjen e energjisë CEZ-DIA preken emra shumë të rëndësishmë të shtetit dhe të politikës shqiptare si Ilir Meta dhe Sali Berisha, dhe kjo do rrezikonte seriozisht stabilitetin e Shqipërisë”.

Një argument me të vërtetë i denjë për vendet Amerikës Latine që qeveriseshin nga kartelet e drogës, të cilët në vitet ’90 argumentonin mungesën e prangave për krerët e karteleve e krerët e institucioneve, me arsyetimin se cënohet stabiliteti politik dhe financiar i vendit.

Kjo është e vërteta e përplasjes së Llallës dhe ambasadorit të SHBA Lu, ku ish kryeprokurori kërkesën për dosjen e CEZ-DIA e barazoi me burgun për Metën e Berishën, duke treguar qartë se kjo dosje e kopsitur prandaj mbahet mbyllur, sepse vërtetë e çon në burg dyshen e krimit.

Dhe prandaj SHBA përmes organeve ligjzbatuese kërkon sërish nga Arta Marku që ta mbyllë dosjen e aferës së CEZ dhe DIA dhe ta dërgojë në gjykatë, ku përgjegjësit që i shkaktuan këtë dëm gjysmë miliard dollarë arkës së shtetit shqiptar, të shkojnë para drejtësisë.

Por nga ana tjetër Donald Lu i ka kërkuar dhe një gjë fare të “vogël” Adriatik Llallës në atë takim të vetëm në Prokurorinë e Përgjithshme, në atë kohë kur ambasadori shpresonte që Tiku të ishte në të njejtën linjë me SHBA në luftën kundër krimit.

Ambasadori i SHBA i kërkoi të hetonte trafikun e drogës kokainë nga Kolumbia që Agron Kuliçi, ish zv.drejtor i Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe ish badigard i Berishës, realizonte përmes linjave të krijuara sa ishte tetë vite në detyrë.

Këtë kërkesë të Donald Lu ish Kryeprokurori Adriatik Llalla ia referoi menjëherë Sali Berishës, dhe sëbashku filluan goditjen ndaj ambasadorit të SHBA, duke e akuzuar si të korruptuar dhe një sekser të rëndomtë dhe për më tepër si një sorosian që me ardhjen e Trump si President në SHBA do flakej nga diplomacia.

Prandaj gjithë skenari i ngritur me kujdes nga ana e Llallës dhe e mbështetësve të tij Berisha dhe Meta për të paraqitur përplasjen me Donald Lu si një refuzim për të arrestuar Metën apo për të bërë kompromis për “Bankers Petrolium”, ka rënë tashmë me faktet e reja.

Ndërkohë që Adriatik Llalla “pret” që dikush ta marrë në dorë dhe ta dënojë për pastrim parash dhe abuzim me pushtetin, Sali Berisha e Ilir Meta janë në prag të gjykimit dhe marrjes së dënimit të merituar për krimet, trafiqet dhe korrupsionin që kanë bërë./Pamfleti

error: Ndalohet ribotimi i artikullit! E drejta e autorit pamfleti.net.