“Lleshi”, Rama-Meta nxjerrin “shpatat”

“Lleshi”, Rama-Meta nxjerrin “shpatat”

Mosdekretimi i ministrit të Brendshëm Sandër Lleshi ka nxjerrë në pah konflikitin mes Presidencës dhe Kryeministrisë. Në fakt më shumë se një përplasje institucionale, duket se është një tension mes Edi Ramës dhe Ilir Metës, të cilët nuk po lejohen të bëjnë më pazare.

Pas emërimit me urdhër qeverie, dueli vazhdon.

Presidenti Ilir Meta foli para mediave për çështjen e mosdekretimit të Sandër Lleshit si ministër i Brendshëm.

“Amatorët të lexojnë kushtetutën dhe të mësojnë kompetencat e presidentit. Kam një pyetje: A mundet parlamenti të rrëzojë dekretin e presidentit për një ministër. Më lini të bëj detyrën time me përgjegjshmëri të plotë”, u shpreh Meta.

Menjëherë pas kësaj deklarate erdhi reagimi i kryeministrit Edi Rama. Ai njoftoi në Twitter se ka rifirmosur, “për ridërgim kërkesën për dekretimin e Sandër Lleshit Ministër i Brendshëm, drejtuar Presidentit të Republikës”.

“Sapo kam rifirmosur për ridërgim kërkesën për dekretimin e Sandër Lleshit Ministër i Brendshëm, drejtuar Presidentit të Republikës. Bashkëngjitur do t’i dërgohet Presidentit edhe një relacion i detajuar shpjegues, në funksion të dekretimit të Ministrit të Brendshëm”, shkroi Rama në rrjetin social.

Me sa duket Ilir Meta do të vijojë me kokën e tij, pavarësisht apeleve të ndërkombëtarëve.

Ambasada e SHBA ka reaguar përmes rrjeteve sociale, duke deklaruar hapur se Ministria e Brendshme duhet që të jetë tërësisht funksionale. Mesazhi dukej qartë që i drejtohej presidentit Meta, pasi është ai që ka bllokuar emërimin e titullarit të institucionit. Ambasada e ka bërë të qartë se duhet të mos ketë asnjë pengesë në luftën ndaj krimit.

“Përgjatë muajve të fundit, jemi inkurajuar nga përparimi që kemi parë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në Shqipëri – rezultat i drejtpërdrejtë i punës së bërë nga autoritetet shqiptare, veçanërisht oficerëve të policisë dhe prokurorëve, të cilët luftojnë për drejtësi të vërtetë për të gjithë shqiptarët. Ka ende punë për të bërë dhe presim që këto përpjekje jo vetëm të vazhdojnë, por edhe të shtohen. Një Ministri e Brendshme plotësisht funksionale është një element kyç për të siguruar vazhdimësinë e këtyre përpjekjeve dhe rezultateve të deritanishme”, thuhet në deklaratën e ambasadës së SHBA.

Më tej është bërë e qartë se nuk do të ketë asnjë tërheqje në luftën ndaj korrupsionit dhe zbatimit të reformës në drejtësi. 

 “Qeveria e SHBA qëndron e gatshme për të punuar me partnerët tanë shqiptarë. Ne do të ofrojmë asistencë kudo që të jetë e mundur për të ndihmuar mposhtjen e krimit të organizuar e korrupsionit, për të vazhduar përparimin e reformës në drejtësi, dhe për të siguruar sundimin e ligjit për popullin shqiptar”, thuhet në deklaratë.

Ndërkombëtarët gjithmonë kanë bërë thirrje për luftë ndaj krimit dhe korrupsionit dhe bllokimi i dekretit në këtë moment vështirëson avancimin e Shqipërisë drejt BE.

Gjithsesi, mbetet për t’u parë në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht./Pamfleti

Loading...
error: Ndalohet ribotimi i artikullit! E drejta e autorit pamfleti.net.
WhatsApp Denonco tek Pamfleti