Kosova16 Dhjetor 2022, 22:26

Luftëtari rusi i dënuar në Donbas, shfaqet pranë barrikadave në veri të Kosovës

Shkruar nga Pamfleti
Luftëtari rusi i dënuar në Donbas, shfaqet pranë barrikadave

Disa ditë pasi disa serbë lokalë bllokuan rrugët në veri të Kosovës, barrikadat u vizituan nga një shtetas serb i dënuar për pjesëmarrje në forcat ruse gjatë luftës në Ukrainë në vitin 2015.

Nikolla Joviç, i cili u dënua nga Gjykata e Lartë për pjesëmarrje në luftën në Ukrainë, veprim që ligji serb e dënon, ka publikuar në Facebook fotografi nga fshati Rudarë në komunën e Zveçanit në veri të Kosovës.

Në këtë vend, kamionët e disa serbëve lokalë janë përdorur për ta bllokuar rrugën që disa ditë, në shenjë pakënaqësie pas arrestimit të bashkëkombësit të tyre dhe ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiç.

Pantiç u arrestua më 10 dhjetor, pasi që autoritetet e Kosovës dyshojnë se ai mori pjesë në sulmin ndaj zyrës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës.

Joviçi ka thënë se shkoi në veri të Kosovës si gazetar i medias shtetërore ruse Russia Today (RT). Në fotot e tij të publikuara më 13 dhjetor shihet një veturë e misionit të NATO-s në Kosovës, KFOR-it, flamuri i Serbisë në oborrin e një shtëpie, si dhe një tendë e ngritur nga disa banorë lokalë në fshatin Rudarë.

Joviç e ka publikuar edhe një fotografi të veten në Mitrovicën e Veriut në Kosovë.

“Në barrikada. Gjithmonë me njerëzit e mi”, shkroi Joviçi përkrah fotove të publikuara.

Në njërën nga fotot e Joviçit, në Kosovë shihet edhe simboli i pushtimit ushtarak rus të Ukrainës, “Z”.

Ai gjithashtu ka postuar në Facebook se si raporton nga Kosova, si korrespondent i kanalit shtetëror rus Russia Today (RT).

RT filloi transmetimin online në gjuhën serbe më 15 nëntor me mesazhin “Kosova është Serbi”.

RT-së, si një media e kontrolluar nga Kremlini dhe e financuar nga buxheti i shtetit, i ndalohet transmetimi në Bashkimin Evropian që nga marsi i vitit 2022.

Ky medium është cilësuar si mjet kyç për përhapjen e propagandës ruse dhe është bërë cak i një pakoje të sanksioneve ndaj Rusisë për luftën në Ukrainë.

Në tetor, Joviçi njoftoi në Facebook se atij i ishte ndaluar hyrja në Bosnje dhe Hercegovinë. REL-i nuk ka marrë përgjigje nga Policia e Kosovës nëse Joviçit i është lejuar të hyjë në Kosovë.

Radio Evropa e Lirë u përpoq të merrte informacion nga Joviç për qëndrimin e tij në Kosovë, por ai nuk pranoi t’u përgjigjet pyetjeve.

Në një përgjigje me shkrim në Facebook, ai përmendi pakënaqësinë me shkrimet e mëparshme të REL-it për të si arsye. /REL

Prishtine Barrikada lufye rus

Kosova