Sport10 Gusht 2018, 14:42

Luiza Gega e kryen detyrën, kualifikohet në finale e Europianit në 3000 metra me pengesa

Shkruar nga Pamfleti
Luiza Gega e kryen detyrën, kualifikohet në finale e Europianit

Luiza Gega e kryen detyrën, kualifikohet në finale e Europianit në 3000 metra me pengesa

Pas Izmir Smajlajt që siguroi finale e kampionatit europian në Berlin dhe arriti në fund të renditet në vend të gjashtë, por me pretendime të mëdha se i është manipuluar rezultati, sot ishte radha e një tjetër atleteje nga Shqipëria të tregonte vlerat e saj. Bëhet fjalë për Luiza Gegën e cila arriti të kapë finale dhe ditën e dielë do të tentojë pse jo një medalje nga ky aktivitet, më i rëndësishmi për atletikën në nivel europian.

Kështu, atletja shqiptare Luiza Gega ia ka dalë që të kualifikohet në finalen e Kampionatit Europian për 3000 metra me pengesa, duke u konfirmuar njëkohësisht si një nga pretendentet kryesore për medalje në këtë disiplinë.

Atletja shqiptare merrte pjesë në baterinë 2 të kualifikueseve, ku ka arritur të qëndrojë që në fillim me grupin e kryesueseve të garës. Ajo kaloi e dyta vijën e finishit, vetëm pak të qindtat e sekondës pas zviceranes Fabien Shlumpf që fitoi baterinë, duke dhuruar kohën 9 minuta e 33,11 sekonda. Thuajse të gjitha atletet që u kualifikuan në baterinë e Gegës dhuruan rekorde personale sezonale, ndërsa atletja shqiptare ka rezultatin e saj më të mirë 9 minuta e 22 sekonda, të dhuruar në majin e vitit 2018.

Ecuria e garës ishte mjaft e mirë dhe objektivi që Gega kishte për kualifikim u arrit më së miri. Koha e regjistruar nga Gega sot ishte e dyta më e mirë mes të gjithë atleteve të kualifikuara për finalen nga të dy bateritë, duke e bërë shqiptaren pretendente kryesore për medalje në një garë të cilën dy vite më parë e mbylli si nënkampione e Europës. Finalja do të zhvillohet të dielën në darkë dhe ambiciet e Gegës e trajnerit të saj Taulant Stërmasi janë për një vend në podium, gjë që do të justifikonte përgatitjet e forta të sportistes. /Pamfleti Sport

Sport