Aktualitet20 Korrik 2019, 21:02

Lulzim Basha tërhiqet nga rrëzimi i Ramës dhe qeveria tranzitore, i lëshon ‘terren’ rivalëve për postin e kreut të PD

Shkruar nga Pamfleti

Lulzim Basha tërhiqet nga rrëzimi i Ramës dhe qeveria tranzitore, i lëshon ‘terren’ rivalëve për postin e kreut të PD

Kreu i PD në “turin njohës” në bazë, s’arriti të artikulonte largimin e Ramës nga kryeministër dhe krijimin e një qeverie tranzitore që të përgatisë zgjedhjet e parakohshme. Një tërheqjeje të tillë nga kauza me të cilën ka luftuar kaq fort opozita në këto 6 muaj, e ka bërë pikërisht në një bastion të djathtë, sikurse është Kurbini.

Kryetari i PD Lulzim Basha, teksa ka bërë “haram” pushimet e verës, ka nisur një tur takimesh me militantët dhe bazën e demokratëve.

E kemi theksuar dhe më parë se lëvizjet e liderit demokrat janë në kuadër të ristrukturimit të strukturave të bazës së PD dhe garantimit të postit të tij në krye të partisë më të madhe opozitare.

Por në kundërshtim me atë që duan demokratët, janë të prirur më shumë nga lëvizja radikale kundër qeverisë së PS dhe këtë e kanë shprehur mëse njëherë, Basha gjithë turin e tij e ka mbështetur në prezantimin e te keqes më të madhe, oligarkëve të Ramës, duke hyrë nëpër përllogaritje matematikore, për përfitimet e tyre nga fondet publike.

Nuk është gabim që të evidentohet keqqeverisja e Ramës tek militantët e PD, por në kushtet kur deklaratat radikale të ish kreut demokrat Sali Berisha po gjejnë terren të gatshëm në masën e gjërë të demokratëve, qasja e Bashës duhet të jetë të paktën në nivelin e shumë ditëve më parë.

Në artikulimin publik Basha ka përmendur refuzimin që qytetarët i kanë bërë Ramës në zgjedhjet e 30 qershorit, duke nënvizuar faktin se ato zgjedhje u bënë thjeshtë dhe vetëm për kryeministrin dhe një grusht banditësh dhe oligarkësh.

Basha nuk arriti në asnjë takim të ditëve të fundit të artikulonte qoftë largimin e Ramës nga kryeministër ashtu dhe krijimin e një qeverie tranzitore, me objektiv të vetëm, përgatitjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Një tërheqjeje të tillë të fortë nga kauza me të cilën ka luftuar kaq fort opozita në këto gjashtë muaj, madje shpeshherë dhe në mënyrë të dhunshme, e ka bërë pikërisht në një bastion të djathtë, sikurse është Kurbini.

Të mësuar për t’u “përkëdhelur” në sedër nga Sali Berisha, i cili në opozitën e parë deklaronte se ‘me demokratët e Mamurrsit e rrëzonte qeverinë e Nanos sa herë të donte’, militantët e PD në Laç e Mamurras nuk kanë dëgjuar nga Basha asnjë nga këto qëndrime të ashpra kundër Ramës.

Në përballje me ish liderin demokrat Berisha, i cili ka emra të tjerë në mendje për postin e kreut të PD, Basha, duke hequr dorë dhe formalisht nga kërkesa për rrëzimin e Ramës dhe krijimi i një qeverie tranzitore pa Ramën kryeministër, u ka lëshuar “terren” rivalëve të tij.

Jo pa qëllim deklaratat e sotme të ish Presidentit Bujar Nishani, i diskutuar në koridoret e PD dhe media si një kandidat serioz për kryetar partie, i mbështetur dhe sponsorizuar fort nga Berisha, kanë qënë të ashpra në drejtim të kryeministrit, teksa kërkon largimin e tij të menjëhershëm./Pamfleti/

codramol
smile

Kryesore i lëshon ‘terren’ rivalëve për postin e kreut të PD Lulzim Basha tërhiqet nga rrëzimi i Ramës dhe qeveria tranzitore