Anti-Mafia28 Shtator 2018, 20:02

Mafia e HEC-eve të Tropojës kërcënon redaksinë e gazetës “PAMFLETI”, letra e banorëve të Valbonës drejtuar ambasado

Shkruar nga Pamfleti
Mafia e HEC-eve të Tropojës kërcënon redaksinë e

Mafia e HEC-eve të Tropojës kërcënon redaksinë e gazetës “PAMFLETI”, letra e banorëve të Valbonës drejtuar ambasadores Kavalec “tërbon” Ulajn

Gazeta “PAMFLETI” vë në dijeni për këtë kërcënim të mafias së HEC-eve të Tropojës ndaj redaksisë së saj, të gjitha institucionet shtetërore shqiptare, përfshirë dhe Prokurorinë. Veçanërisht vë në dijeni dhe ambasadën amerikane në Tiranë

Mafia kur i preken interesat e saj dhe i rrezikohen interesat financiare, reagon përmes kërcënimeve të dhunshme, deri me jetë dhe në mënyrë masive.

Gjithnjë është media në qendër të goditjes, pasi pjesa e saj më e ndershme është në anën e publikut, në anën e qytetarëve dhe nuk çedon në këtë drejtim, pavarësisht këtyre kërcënimeve.

Gazeta “PAMFLETI” ka qënë gjithnjë nën kërcënimin e elementëve mafiozë të të gjitha llojeve për shkak të pasqyrimit të drejtë, të ndershëm dhe me objektivitet të shqetësimeve të qytetarëve, duke mbajtur në të gjitha rastet anën e drejtë, anën e tyre.

Ndërkohë që sot, gjithë redaksia e gazetës “PAMFLETI” ka marrë një kërcënim nga mafia e HEC-eve të Tropojës, përmes një numri me prefiks britanik.

Nr i telefonit që kërcënoi është: 0044 7404099469

Kërcënimi ka qënë për të gjithë gazetarët e redaksisë dhe përmbante një fjalor të rëndë, aspak dinjitoz dhe që paralajmëronte se do të ndërmerrnin dhe masa ekstreme nëse nuk mbyllnin gojën.

Kërcënimi ka ardhur pas një letre që banorët e Tropojës i drejtonin ambasadores së re të SHBA Kavalec, e cila u publikua nga “PAMFLETI” për t’u ardhur në ndihmë këtyre qytetarëve të ndershëm që nuk janë përfillur as nga shteti dhe as nga drejtësia, por janë dhunuar nga mafia.

Dhe menjëherë pas bërjes publike të kësaj letre në gazetën “PAMFLETI” mafia e HEC-eve të Tropojës kërcënoi me tone të forta, gjuhë të ashpër dhe të artikuluar rëndë për të lënë të kuptohet se mund të ketë dhe cënim të jetës, gjithë reaksinë e gazetës.

Zanafilla është momenti kur banorët e Luginës së Valbonës në Tropojë, nëpërmjet ‘PAMFLETI”-it, iu drejtuan me një mesazh publik, Ambasadës së SHBA në Tiranë dhe personalisht, Ambasadores së re, zonjës Kathleen Ann Kavalec, lidhur me padrejtësitë e gjykatave shqiptare dhe shpërfilljen e treguar prej qeverisë, duke lejuar shkatërrimim e lumit dhe Parkut Kombëtar “Valbona”, nga kryebanditi Bashkim Ulaj, ish-banor i kësaj zone, aktualisht shtetas amerikan.

“Një shtetas amerikan, i quajtur Bashkim Ulaj, ka okupuar dhunshëm rrjedhën e lumit Valbona dhe me dinamit, hekur e beton, nën emrin e firmës “GENER-2”, po ndërton dy HEC-e përgjatë saj, duke devijuar e zhdukur shtratin e këtij lumi, pyjet dhe krejt luginën, të cilat janë kompleks natyral “Park Kombëtar”.

Këto dy HEC-e, po ndërtohen në fshatin Çerrem, mbi degën e lumit Valbona dhe tjetri në Dragobi, në shtratin e lumit Valbona, të cilët ne i kemi refuzuar si komunitet, për shkak se na zhdukin burimet jetike dhe kemi protestuar e po vazhdojmë me protesta edhe përballë dhunës fizike dhe krismave, të armëve të tyre.

Ju bëjmë me dije, Zonja Ambasadore e SHBA, se shtetasi juaj, Bashkim Ulaj, pasi ka joshur financiarisht e me pasuri të paluajtshme (apartamente), qeveritarët shqiptarë dhe drejtuesit e lartë policor lokal e qendror, ka nisur punimet”, shkruajnë mes të tjerave banorët e Tropojës në letrën e tyre drejtuar ambasadores Kavalec dhe të bërë publike në “PAMFLETI”.

Më tej banorët e Tropojës nënvizojnë se “reagimit tonë paqësor, për të mos lejuar ndërtimin e HEC-ve, shtetasi juaj Bashkim Ulaj, i është përgjigjur me presione e dhunë fizike, duke përdorur privatisht policinë shtetërore e grupe kriminale, të cilët kanë ushtruar dhunë fizike, deri plagosje të banorëve….

Ju bëjmë me dije, se Gjykata Qendrore Administrative në Tiranë, ia ka ndaluar të kryejë punime, por pasi ka blerë në Gjykatën Lokale të Tropojës, një vendim krejt “nul” proceduralisht dhe në shkelje të hapur të Kushtetutës të Shqipërisë, shtetasi juaj Bashkim Ulaj, në bashkëveprim me mafien shqiptare e atë serbo-malazeze, po vazhdon punimet.

Sa për kujtesë, Lugina e Valbonës me sipërfaqe 8000 hektarë, ku ne jetojmë e punojnë prej shekujsh, është “Park Kombëtar” dhe qysh prej 200 vitesh, nuk është dëmtuar asnjë pemë, nga dora e njeriut.

Ndërsa pas dy shekujsh, vërsulet një biznesmen mafioz me pasaportë amerikane “Bashkim Ulaj”, që korrupton qeveritarët në Shqipëri dhe po na e zhduk lumin, po na shkatërron parkun e krejt burimet jetike të zonës, duke trumbetuar, se është përfaqësues i interesave ekonomike të biznesit e Shtetit Amerikan në Shqipëri”.

Ndërkohë që kërkojnë ndërhyrjen e ambasadores së re amerikane që të ndalë “dorën e gjatë” të këtij njeriu, që po u shkatërron Valbonën, jetën dhe trashëgiminë e tyre.

Pikërisht publikimi i kësaj letre të banorëve të pambrojtur të Tropojës, të cilët janë dhunuar nga shteti i tyre me heshtjen e kryministrit, nga drejtësia me mbivendosjen e vendimeve të gjykatave dhe mosrespektimin e tyre kundrejt pagesave dhe nga malësori i tyre Bashkim Ulaj, ka irrituar mafian e HEC-eve ndaj redaksisë së “PAMFLETI”, sa të kërcënojë dhe me eleminim fizik.

Në krye të herës, si gjithnjë “PAMFLETI” nuk do të jepet, nuk do të tërhiqet nga misioni fisnik në mbrojtje të qytetarëve shqiptarë, në mbrojtje të pasurive natyrore shqiptare që nuk janë cënuar për shekuj me radhë as nga dora e pushtuesit, dhe do të jetë deri në frymën e fundit në mbrojtje të interesave të qytetarëve dhe të pasurive të këtij vendi.

Siç kemi qënë gjithnjë në anën e qytetarëve, në mbrojtje të interesave të tyre, mesazhi i të gjithë gazetarëve të “PAMFLETI”-t  është i prerë dhe i qartë: Nuk ka asnjë kompromis me mafian dhe strukturat e saj kriminale që jo vetëm po rrjepin këtë popull por kërcënojnë me jëte qytetarët dhe përfaqësuesit e tyre që përçojnë zërin e protestës në publik.

Bëjmë me dije se për interesat e shqiptarëve dhe në mbrojtje të tyre, që është dhe misioni ynë si media e drejtë, e ndershme dhe e pakompromis me të keqen, nuk na përkul asnjë gjë, përfshirë dhe mafian e HEC-eve të Tropojës që kërcënon me burracakëri përmes valëve të celularit.

Gazeta “PAMFLETI” vë në dijeni për këtë kërcënim të mafias së HEC-eve të Tropojës ndaj redaksisë së saj, të gjitha institucionet shtetërore shqiptare, përfshirë dhe Prokurorinë. Veçanërisht vë në dijeni dhe ambasadën amerikane në Tiranë, si dhe sherbimet përmanente amerikane në rajon.

 

Anti-Mafia letra e banorëve të Valbonës drejtuar ambasadores Kavalec “tërbon” Ulajn Mafia e HEC-eve të Tropojës kërcënon redaksinë e gazetës “PAMFLETI”