Sport12 Nëntor 2018, 15:35

Mancini: Prurjet e reja i ndiqnim prej kohësh. Belotti dhe Balotelli nuk janë në formë!

Shkruar nga Pamfleti
Mancini: Prurjet e reja i ndiqnim prej kohësh. Belotti dhe Balotelli nuk

Ndeshjet e fundit për vitin 2018 për ekipin kombëtar italian janë shumë afër. Ky vit mund të konsiderohet si një dështim për “Azzurri” të cilët nuk arritën të kualifikoheshin në Kupën e Botës. Para se të futemi në vitin 2019, i cili do të shohë fillimin e kualifikueseve për europianin e vitit 2020, duhet që të përfundohet rrugëtimi në “Nations League”. Të shtunën në orën 20:45, të kaltrit presin në Milano Portugalinë e më pas është e programuar miqësorja në 20 nëntor në Genk kundër Shteteve të Bashkuara. Italia do të përpiqet të mundë kampionët në fuqi të Europës ende pa Cristiano Ronaldon i cili nuk grumbullohet me “Luzitanët” prej muajsh. Roberto Mancini i ka habitur të gjithë duke lënë jashtë Balotellin dhe Belottin dhe duke thërritur tre debutues. Stefano Sensi i Sassuolo, Sandro Tonali i Brescia dhe gjermano-italiani Vincenzo Grifo Hoffenheim janë prurjet e reja në ekipin kombëtar.

Trajneri 53-vjeçar foli për këto dhe tema të tjera në konferencën për shtyp para gazetarëve:

“Ne duam të vazhdojmë paraqitjet e mira si ajo në Poloni dhe në miqësoren kundër Ukrainës, ku kemi luajtur mirë por ka ende vend për përmirësim. A synojmë fitimin e grupit të “Nations League”? Do të përpiqemi, duhet të mposhtim Portugalinë dhe pastaj të shpresojmë që Polonia të mos humbasë, por është e vështirë sepse nuk varet vetëm nga ne.

Për sa i përket prurjeve të reja, Mancini foli dhe shpjegoi se pse zgjodhi pikërisht ata. “Grifo kishte qenë tashmë pjesë e ekipeve U19 dhe U21 dhe është një mesfushor krahu që mund të luajë si majtas ashtu dhe djathtas dhe kemi dashur ta shohim. Sensi ka kualitete të mira teknike dhe karakteristika të ngjashme me mesfushorët e tjerë dhe mund të jetë një alternativë e mirë. Tonalin e kam ndjekur nga afër në kampionatin evropian U19 dhe ai është shumë i fortë. Gianluca Mancini? Ekziston edhe ekipi U21, ne nuk mund t’i “vjedhim” të gjithë nga Di Biagio.

Në mbyllje komplimente Allegrit për “Stolin e Artë”. Ai ka fituar titullin me “Zonjën e Vjetër” çdo vit, çmimi është më se i merituar. Juventus mund të fitojë Ligën e Kampionëve, bashkë me Barcelonën dhe Bayern janë favoritët kryesorë por pa harruar dhe Real Madrid. Çdo gjë do të vendoset në pranverë, bazuar në mënyrën se si do të jetë forma e ekipeve.”

Sport