Aktualitet20 Nëntor 2018, 19:11

Marin Mema shpërthen ndaj politikanëve: E turpshme dhe skandaloze! Harxhoni miliona për mjete luksoze e zyra të rehatshme!

Shkruar nga Pamfleti
Marin Mema shpërthen ndaj politikanëve: E turpshme dhe skandaloze!

Marin Mema shpërthen ndaj politikanëve: E turpshme dhe skandaloze! Harxhoni miliona për mjete luksoze e zyra të rehatshme!

Për fat të keq sot Shqipëria ka fonde për gjithçka, për ngrehina pa vlerë, për betonerira të çdo lloji e tipi,  për makina luksoze, zyra te rehatshme e poltrona të ngrohta, por për arkeologjinë jo, për shkencën jo që jo, e aq më pak për të ruajtur e pasuar e pse jo forcuar identitetin kombëtar

Shkruan Marin Mema

Monumentet në Shqipëri ngjasojnë me vegimet jo sepse janë fantazi apo legjenda, por sepse shumica dërrmuese e tyre janë braktisur, po shuhen apo nuk njihen aspak. Gërmimet sot kryhen vetëm aty ku kanë interes apo vëmendje misionet e ndryshme që vijnë nga jashtë vendit. Ne nuk kemi fonde për t’ia adresuar arkeologjisë, ndaj edhe varësinë e kemi të plotë nga ajo që na japin të tjerët.

Të gjitha qendrat arkeologjike sot në Shqipëri edhe ato më të njohurat janë të gërmuara shumë pak, në krahasim me atë që ende fshehin. E ketu duhen përfshirë edhe Bylisi, Apollonia, Berati, Shkodra , Lezha, Dimali, Albanopoli, Durrësi etj. Gjithkund nëntoka mban më shumë sesa ajo që ka dalë në sipërfaqe. Këtu sigurisht nuk duhen llogaritur fondet për mirëmbajtje që janë edhe më inekzistente se ato për hulumtim, studim e gërmim.

Shumë qendra të tjera interesante nuk dihet në cilën listë të monumenteve “frymojnë” ende. Nikaia në Klos të Mallakastrës, Persqopi shumë afër Tiranës, kalaja e Dajtit, e Vaqarrit, Ndroqit, Melani jo larg Gjirokastrës, Lekli, Matohasanaj, Drishti, Danja, Krahtuli, kalaja e Këlcyrës ajo e Lekës në Tropojë, Cidhën të Dibrës, Gurëzezë, Qinam, Kamnik, Bilisht, Trajan, Zhupë të Pukës, Stelush, Mirditë e kështu me radhë në një listë për të cilën do të duheshin të paktën 20 apo 30 faqe A4 për ta realizuar të plotë.

Nga krahu tjetër asnjë shans nuk ka për të kërkuar diçka të re që nuk është njohur më parë. Pra, të gjitha monumentet janë ato të zbuluara që në sistemin e mëparshëm. Asnjë hap përpara nuk është bërë. Kërkimet e reja, të dyshuara, që synojnë pse jo të shpluhurosin qendra edhe më mahnitëse apo të rëndësishme për historinë e identitetin shqiptar nuk ka. Deri më sot duhet të kënaqemi me pudrosjen, me ledhatimet apo promovimet e shëmtuara që më shumë kanë qëllim manipulimin sesa ruajtjen e këtyre monumenteve.

Për fat të keq sot Shqipëria ka fonde për gjithçka, për ngrehina pa vlerë, për betonerira të çdo lloji e tipi,  për makina luksoze, zyra te rehatshme e poltrona të ngrohta, por për arkeologjinë jo, për shkencën jo që jo, e aq më pak për të ruajtur e pasuar e pse jo forcuar identitetin kombëtar. Mjafton të kujtohet këtu se sot në bodrumet e Institutit të Arkeologjisë flenë mëse 35 mijë objekte gati për t’u ekspozuar, e mijëra të tjerë që do t’i bashkëngjiten pas pastrimit nga ekspertët e fushës. E pra, për to nuk ka një muze arkeologjik të denjë.

Në fakt e gjithë kjo është e turpshme, ashtu siç edhe më e turpshme është gjendja në të cilën ndodhet Muzeu Arkeologjik në Tiranë. Një pjesë nuk e dinë vendndodhjen e tij, të tjerë do të skandalizoheshin nëse do ta vizitonin. Që prej vitit 1986 askush nuk ka vënë më dorë në këtë muze, që të paktën nëse i referohesh pasurive të mëdha arkeologjike që ka nëntoka shqiptare duhet të ishte ndër më cilësorët në Ballkan. Por kjo jo vetëm nuk ka ndodhur, por aty mungon edhe mbështetja më minimale. Muzeu i sotëm mund të cilësohet gjithçka, përveçse i tillë.

Këto elementë, mendjendriturve tanë nuk ju nevojiten dhe për fat të keq realiteti është si më sipër, na pëlqen ose jo… Pra, në të vërtetë ne tradhëtarët i kemi këtu, në shtëpinë tonë.

Forum Marin Mema tradhtaret trashegimi kulturore