Kosova15 Shtator 2019, 15:49

Marrëveshja paszgjedhore Kosovë-Serbi, çfarë fiton dhe rrezikon të humbë shteti shqiptar

Shkruar nga Pamfleti

Marrëveshja paszgjedhore Kosovë-Serbi, çfarë fiton dhe rrezikon të humbë shteti shqiptar

SHBA-të përfundimisht iu kanë kthyer edhe një herë Ballkanit dhe Kosovës, për t’i dhënë epilog përfundimtar arritjes së një marrëveshje mes dy vendeve.

Njohës të zhvillimeve politike në vend, të mirë informuar me rrjedhat e deritanishme të dialogut me Serbinë, e mirëpresin dhe vlerësojnë pozitivisht marrjen e rolit kyç të SHBA-ve në këtë proces, së bashku me BE-në për përshpejtimin e arritjes së një marrëveshje.

Por nga ana tjetër, analistët kërkojnë nga pala kosovare që të jetë e kujdesshme, pasi megjithatë rreziku u kompromisit të dhimbshëm nuk është eliminuar.

Kështu mendon edhe profesori i njohur, Muhamet Kelmendi, sipas të cilit SHBA-të përfundimisht iu kanë kthyer edhe një herë Ballkanit dhe Kosovës, për t’i dhënë epilog përfundimtar arritjes së një marrëveshje mes dy vendeve.

“Me emërimin e z. Pallmer si përfaqësues special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, po tregohet qartë se cili është interesi dhe roli i SHBA-ve për t’i zgjidhur çështjet e hapura mes shteteve të këtij rajoni, e në këtë rast, mes Kosovës dhe Serbisë”, tha Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Sipas Kelmendit, pavarësisht rolit prijës që po marrin SHBA-të në këto bisedime, ndërmjetësimi i përbashkët edhe nga BE-ja nuk mundë të anashkalohet, pasi vetë problemi që kërkon zgjidhje është në qendër të Evropës, por që përputhet me interesat e Aleancës Veri-Atlantike.

“Natyrisht se UE do të ketë rolin moderator për faktin se Kosova dhe Serbia janë në Evropë dhe se pa ndihmën e Evropës nuk ka perspektivë kjo pjesë e Ballkanit, por duhet të jemi të kujdesshëm të të shohim çfarë po bisedohet dhe çka në finale pritet të realizohet. Në këtë plan duhet ta kemi të qartë zgjidhjen finale e që është mbrojtja e interesit të shtetit të Kosovës pa asnjë kompromis, sepse Kosova është shtet që e ka kompakte tërësinë e vetë territoriale dhe këtu nuk ka pardon”, tha Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Duke qenë se interesi i Kosovës është mbrojtja e tërësisë territoriale, por që Serbia nuk e pranon duke kërkuar hise me kompromis, sipas Kelmendit, nuk do të duhej nxituar në afat kohor të shpejtë të përmbylljes së marrëveshjes e cila do të ishte në dëm të Kosovës.

“Këtu duhet të jetë i përqendruar i gjithë plani i bisedimeve, kjo është dhe duhet të jetë baza e diskutimit, pra të fillon me kërkesën për njohje reciproke sepse vetëm kjo është edhe bazë arritjes së mundshme të çfarëdo marrëveshje finale. Nuk është me rëndësi kur dhe sa do të zgjatë kjo agjendë bisedimesh sepse ende nuk ka afate”, theksoi Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot Online.

Sipas profesor Kelmendit, për rifillimin e këtij procesi duhet përgatitur me shumë kujdes nga Qeveria e re e Kosovës.

“Sepse forcat që kanë punuar deri tani për ndarjen e copëtimin e Kosovës ende janë shumë të forta, sepse janë në pushtet dhe nuk kanë hequr dorë nga ky koncept. Besoj që Kosova pas këtyre zgjedhjeve do ta ketë një Qeveri më unike dhe të bashkuar në qëndrimet karshi këtyre bisedimeve, sepse rreziku është serioz. Rreziqet janë evidente dhe ato po lansohen kohë pas kohe duke krijuar terren të favorshëm për planet ndarëse. Tani gjithsesi varet se kush do ta fiton votën në këto zgjedhje që mbahen në Kosovë dhe kush do ta përbëjë Qeverinë e re. Nga përbërja politike e Qeverisë së re varet edhe e ardhmja e diskutimeve me Beogradin. Këtu duhet të jemi të përgatitur dhe të mos lëkundemi për asnjë milimetër sepse Kosova është shtet dhe me këtë nuk duhet të luhet. Njohja e shtetit sovran dhe të pavarur të Kosovës nga ana e Serbisë duhet me qenë bazë e çdo raporti që ndërton shteti ynë në raport me Serbinë”, përfundon Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

codramol
smile

Prishtine çfarë fiton dhe rrezikon të humbë shteti shqiptar Marrëveshja paszgjedhore Kosovë-Serbi