Bota14 Tetor 2019, 19:52

Mbretëresha Elizabetë paraqet në parlament axhendën qeveritare: Prioriteti është largimi nga BE-ja më 31 tetor

Shkruar nga Pamfleti
Mbretëresha Elizabetë paraqet në parlament axhendën

Mbretëresha Elizabetë paraqet në parlament axhendën qeveritare: Prioriteti është largimi nga BE-ja më 31 tetor

Mbretëresha Elizabeta II paraqiti në parlament axhendën e qeverisë së kryeministrit Boris Johnson, e cila përfshin daljen e Britanisë nga BE më 31 tetor, dhe një marrëveshje të re me Bashkimin Evropian.

Fjalimi i Mbretëreshës para ligjvënësve shërben për të përcaktuar rendin e ditës të punës së qeverisë për vitin e ardhshëm. Fjalimi i Mbretëreshës 93-vjeçare është shkruar nga qeveria.

“Prioriteti i qeverisë time ka qenë gjithmonë sigurimi i daljes nga BE-ja më 31 tetor. Qeveria synon të punojë drejt një partneriteti të ri me BE-në, bazuar në tregtinë e lirë dhe bashkëpunimin miqësor”, tha Mbretëresha në fjalimin e saj.

Plani i qeverisë përfshin gjithashtu sistemin e migracionit pas daljes nga BE-ja, reformën e gjyqësorit, një ndryshim në sistemin e sigurimeve shëndetësore e të tjera.

“Njerëzit janë lodhur nga bllokada duke pritur që diçka të ndryshojë. Dhe ata nuk do të presin më që ne t’i japim fund Brexit-it” shkroi Johnson në një deklaratë që shoqëronte fjalimin e Mbretëreshës.

Por, e ardhmja politike e Boris Johnson, si dhe aftësia e tij për të zbatuar axhendën e planifikuar, është mjaft e pasigurtë.

Ai kryeson qeverinë e pakicës, dhe që kur u bë kryeministër në korrik, nuk ka arritur të fitojë shumicën për ndonjë nga nismat e tij.

Të gjitha partitë duan zgjedhje të parakohshme parlamentare, por ato nuk pajtohen për kohën e mbajtjes.

Fjalimi i Mbretëreshës do të debatohet në Parlament në ditët në vijim dhe më pas do të votohet.

Përderisa kjo nuk është zyrtarisht një votë besimi ndaj qeverisë, ajo mund të përdoret për të destabilizuar më tej pozicionin e Boris Johnson.

Bisedimet ndërmjet negociatorëve britanikë dhe atyre të BE-së ende nuk kanë shënuar përparim thelbësor për arritjen e një marrëveshjeje për daljen e Britanisë së Madhe nga BE-ja./REL

Bota axhenda qeveritare largimi i Britanisë nga BE Mbretëresha Elizabetë