Me revoltë apo me vota?

Me revoltë apo me vota?

Po, a është vërtetë e pamundur fitorja e opozitës ndaj Ramës në zgjedhje?

Shkruan Eduard Zaloshnja

Sezonin e daljeve në emisionet kryesore të debatit politik në televizion, e nisi Berisha për opozitën. (Normalisht, duhej ta kishte nisur Lulzim Basha, por ky diskutim nuk është objekt i këtij shkrimi.)

Në daljen e tij, Berisha lëshoi një “bombë” shumë të fortë – ai tha se Rama nuk mund të ikë nga pushteti me zgjedhje, dhe se ai duhet rrëzuar me revoltë. Në një farë mënyre, Berisha dukej se po bënte thirrje për një revoltë të ngjashme me atë të 14 shtatorit 1998, gjatë së cilës ish-kryeministri Fatos Nano ia mbathi për në Maqedoni.

Por ajo që duhet të kujtojë Berisha dhe të gjithë ata që kanë të njëjtën mendje me të, është fakti se, pavarësisht se Fatosi ia mbathi, qeveria mbeti përsëri në duart e PS-së edhe për 7 vjet të tjera. Ishin kancelaritë perëndimore ato që e bënë të qartë se, nuk do të njihnin një qeveri të përkohshme, të krijuar nën kërcënimin e revoltës së 14 shtatorit të atëhershëm. Dhe gjasat janë shumë të mëdha që një gjë të ngjashme, mos ta pranojnë edhe tani.

Po, a është vërtetë e pamundur fitorja e opozitës ndaj Ramës në zgjedhje?

Pavarësisht se PS-ja siguroi 74 mandate në zgjedhjet e vjetshme, ajo mori vetëm 48.5% të votës popullore. Ishte marrëveshja e 18 majit (që Zoti e di pse e pranoi Basha), e cila i dha mundësinë PS-së të garonte e vetme kundër të gjitha partive, ndërkohë që këto të fundit nuk kishin më kohë të formonin një koalicion të përbashkët parazgjedhor. Në qoftë se PD-ja, PR-ja LSI-ja, PDIU-ja, LIBRA etj. do të kishin krijuar një koalicion të madh parazgjedhor, PS-ja nuk do të kishte fituar dot më shumë se 69 mandate…

Për më tepër, nga një analizë që kam publikuar në Albanian Free Press (http://albanianfreepress.al/news/2018/03/analize-e-percipte-e-pd-se-per-rezultatin-ne-zgjedhje-opinion-nga-eduard-zaloshnja-81364/ ), më rezulton se rreth 110 mijë votues të djathtë urbanë nuk morën fare pjesë në zgjedhjet e vjetshme (për zonat rurale analiza është shumë më e ndërlikuar). Arsyet e kësaj mospjesëmarrjeje të votuesve të djathtë urbanë, mund të jenë të shumta, por një arsye që të vjen menjëherë në mendje ishte kthesa e fortë e papritur që bëri Basha, pasi u takua kokë më kokë me Ramën në 18 majin e vjetshëm, vetëm disa javë para zgjedhjeve.

Duke marrë në konsideratë sa më sipër, mund të thuhet se rezervuari i mundshëm i votave të një koalicioni të madh të të gjitha partive opozitare, është rreth 900 mijë. Ndërsa rezervuari i votave të PS-së (bazuar në votat që u numëruan vjet për të dhe deputetët aleatë të saj), është rreth 820 mijë. Me fjalë të tjera, në qoftë se të gjitha partitë opozitare bashkohen në një koalicion solid, kanë gjasa t’i fitojnë zgjedhjet përballë PS-së së vetme, edhe pse Rama mund të vazhdojë të jetë kryeministër.

Siç na kujton urtësia popullore, nga e thëna në të bërë, ndan një det i tërë! Nuk është e lehtë që parti kaq të ndryshme nga njëra-tjetra, si PD-ja, PR-ja LSI-ja, PDIU-ja, PBDNJ-ja etj. etj., të krijojnë një koalicion solid, ku të mos kenë frikë se mund t’u bëjnë me hile njëra-tjetrës pas shpine. Të mos harrojmë se, pas zgjedhjeve të 2015-ës, LSI-ja pati shumë pakënaqësi ndaj ish-aleates së saj PS, sepse disa nga kandidatët e saj për kryebashkiakë nuk fituan dot në bashki të majta. Sipas LSI-së, strukturat lokale të PS-së punuan nën rrogoz kundër kandidatëve të saj, edhe pse ishin kandidatë të përbashkët.

Në ditët e sotme, po duket se një koalicion i madh opozitar po ngjizet në letër. Por muajt në vijim do të tregojnë se sa i qëndrueshëm do të jetë në realitet. Testi i parë i këtij koalicioni, do të jetë kur të përcaktohen kandidatët e përbashkët për kryebashkiakë. Cilat bashki do t’i lihen LSI-së, cilat PDIU-së dhe cilat PBDNJ-së etj?

Dhe pastaj, testi më i rëndësishëm do të jetë dita e zgjedhjeve bashkiake. Në qoftë se LSI-ja konstaton se strukturat lokale të PD-së punojnë nën rrogoz në bashkitë ku opozita do të përfaqësohet nga kandidatët e LSI-së, koalicioni do të shkërmoqet. Dhe për sa kohë partitë opozitare nuk përballen të bashkuara kundër Ramës në zgjedhjet parlamentare, ky i fundit do ta ketë të lehtë të fitojë përsëri. Siç bëri vjet…

Loading...

Loading...
WhatsApp Denonco tek Pamfleti