Politike 8 Korrik 2019, 16:00

“Më vjen mirë që Sali berisha nuk është më në parlament”, ministri në ikje i Ramës: Nuk mund të edukojmë

Shkruar nga Pamfleti
“Më vjen mirë që Sali berisha nuk është më

Mbrëmjen e sotme me fillim nga ora 20.00 opozita e bashkuar do të zhvillojë protestën e saj të 10 kombëtare. Nën moton “Rama Ik” dhe me qëndrimet irracionale të Presidentit Meta në raport me postin që mban, Lulzim Basha do të drejtojë sot një protestë e cila pritet të jetë e qetë duke parë dhe reagimet e përsëritura të ndërkombëtarëve për t’u distancuar nga dhuna.

Sot, e hënë, më 8 korrik, duke filluar rreth orës 20.00, do të ketë një protestë politike që do të përfshijë qendrën e Tiranës, në veçanti Bulevardin Deshmoret e Kombit, pranë Kryeministrise si dhe zonen e Parlamentit. Rekomandohet të shmangni grumbullimet dhe të ndiqni përditësimet përmes shtypit dhe të beni kujdes maksimal. Gjithashtu duhet të theksohet se mund të ketë pasoja në trafik dhe në rrugët kryesore të hyrjes në qytet” – ishte mesazhi i ambasadës italiane në vend. E megjithatë, zgjidhja politike duket ende larg e situata sa vjen e tensionohet.

Për protestën kanë folur e komentuar disa nga eksponentët e Partisë Socialiste të cilët siç kanë bërë gjithmonë janë munduar të anatemojnë aksionin opozitar. Së fundmi ka qenë Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi, mesditën e sotme ka komentuar protestën e opozitës që do të mbahet pak orë më vonë.

Klosi u shpreh se opozita ka të drejtën e saj për të protestuar dhe nuk ngurroi të pranonte se është ndjerë mirë që ata kanë ikur nga Parlamenti. Sipas ministrit, PD do të punojë, do të përgatis strukturat dhe më pas do të marrin pjesë në zgjedhjet e 2021.

“Opozita ka të drejtën e saj të bëjë protestë. Mos kërkoni t’i edukojmë. Në një mënyrë apo në një tjetër, unë ndjehem mirë që ata kanë ikur nga Parlamenti. Ndjehem mirë për njerëz që unë kam debatuar, si Sali Berisha për shembull, nuk është më në Parlament. Kjo është beteja mes PD dhe PS në kaq vite. PD ka vendosur të kapitullojë. Ata do të punojnë do të përgatisin strukturat dhe më pas do të marrin pjesë në zgjedhjet e 2021-it”, tha Klosi.

Më herët ka qenë edhe kryeminsitri i vendit Edi Rama, i cili tani ka një hobi të ri: T’u përgjigjet dhe të lëshojë thumba ndaj Bashës e opozitës, përmes shprehjeve të personaliteteve më të njohura të historisë. “Përtej aspektit moral, limiti i protestave të dhunshme qëndron në faktin se ato s’të çojnë në fitore dhe këtë e dinë edhe ata që i bëjnë. Pra protesta e dhunshme s’është revolucionare po reaksionare, sepse ndjell humbjen.”, ka qenë kjo shprehje e Martin Luther King që u postua nga Rama ditën e djeshme për të ironizuar aksionin opozitar, i cili sipas tij është drejt humbjes së pashmangshme. Rama dhe ushtarët e tij në fakt, thonë se nuk merren me opozitën e cila është në rrugë, por në fakt, e dijnë mirë se një opozitë në rrugë është problemi i tyre më i madh. /Pamfleti

Politike Berisha Klosi Protesta Rama