Kosova 8 Nëntor 2022, 09:48

· Prishtine

Shkruar nga Pamfleti
· Prishtine

Pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, lideri i partisë më të madhe opozitare, PDK, Memli Krasniqi, ka thënë se nuk ka marrë siguri se Qeveria e Kosovës do të dijë ta mbajë nën kontroll situatën në veri.

Në adresimin për media pas takimit, Krasniqi ka thënë se Qeveria do ta ketë mbështetjen e PDK-së për ushtrimin e sovranitetit në katër komunat veriore.

“Nuk mund të them se dola me ndonjë siguri të madhe se qeveria e di se në çfarë drejtimesh duhet të shkojë për ta mbajtur situatën nën kontroll. Shpreha qëndrimin e PDK-së që në këtë moment Kosovës i duhen veprime të përgjegjshme. Sa i përket vazhdimësisë së ushtrimit të sovranitetit në katër komunat veriore, qeveria duhet t’i ndërmarrë veprimet që i takojnë dhe për këtë do ta ketë përkrahjen e PDK-së në çfarëdo mundësie që kemi”, është shprehur ai.

Sipas Krasniqit, Kosova ka hyrë në një situatë e cila ka mundur të shmanget.

“Papjekuria në disa veprime dhe mungesa e koordinimit me aleatët kryesorë të Kosovës duket se kanë sjellë një momentum që ka mundur të shmanget”, ka thënë ai.

Prishtine Albin Kurti Memli Krasniqi Partia Demokratike e Kosovës veriu i Kosovës