E këtu Merkeli duket se ka marrë për bazë tezën e bablokut për bandat: “Kokën e vet hëngshin me njëri-tjetrin”. Kush del gjallë nga lufta, do të shpëtojë. Po a do të shpëtojë se?! A nuk mendonte edhe Hashim Thaçi kështu pak muaj më parë…?!
Babloku e di mirë që s’bzan prej ditësh. Ja ka thënë Angela Merkel në bisedën virtual që zhvilloi me të një muaj më parë.
E di mirë edhe Ilir Meta, që ka muaj që thotë që nuk hapen negociatat, pasi atij ja kanë thënë me kohë, e madje ka konflikt të pastër interesi.
Vendimi politik që Shqipërisë t’i hapen negociatat me BE-në, bashkë me Maqedoninë e Veriut, u mor në mars në Samitin e Zagrebit.
Nisja zyrtare e negociatave që bëhet me fillimin e Konferencës së Parë Ndërqeveritare ku firmoset faqja e parë e librit të madh natyrisht që është një vendim më me peshë.
E natyrisht, si rregull BE nuk e ka bërë asnjëherë që kur ka zgjedhje në mes të merrte një vendim që do të favorizonte vetëm qeverinë. Nëse do të kishte një marrëveshje të përbashkët pozitë-opozitë për zgjedhjet, kodi elektoral dhe mënyrën për të shkuar në zgjedhje të pakontenstueshme kishte shumë gjasa që të çmohej e motivohej me vendimin e nisjes së Konferencës, ku bashkë me Edi Ramën do të ishte edhe Lulzim Basha në ceremoni. Por kjo nuk ndodhi.
Megjithatë ka edhe një çështje tjetër mjaft të rëndësishme që askush nuk e përmend, madje edhe Grida me dhunë donte ta largonte mbrëmë në emision për të ndihmuar doktorin, njeriun që e ka ndihmuar shumë për të ngjitur shkallët në politikë.
Shqipëria është i vetmi vend i Ballkanit që kërkon të “kalojë klasën” me BE-në pa vendosur asnjë gur kilometrik, të cilin e kanë vendosur të gjitha vendet e rajonit.
Maqedonia është shembulli më i freskët: ka shpallur të pandehur kryeministrin Nikolla Gruevski, i cili është dënuar për korrupsion. Mali i Zi përpara Maqedonisë çoi në pranga Svetozar Maroviçin që në vitin 2015, por edhe kreun e bashkisë së Budva-s, Bosnja gjithashtu ka arrestuar politikanë të lartë. Për të mos folur për Kroacinë, Bullgarinë e Rumaninë. Edhe Kosova sot ka pas hekurave Presidentin, ish-kryeministrin dhe ish-kreun e Kuvendit.
Ndërsa elita politike shqiptare donte ta “kalonte lumin pa u lagur”, madje edhe me një zhvillim ku kryeministri i vendit i bëri thirrje SPAK që të mos e nisë me politikanët “kryeqëzatën e pandëshkueshmërisë”.
E kjo natyrisht që nuk mund të bëhet, ne nuk ja hedhim dot as Merkelit e as BE-së. Këtë ja ka ka bërë të ditur më shumë se një herë kancelarja Edi Ramës, e cila e ka mbështetur fort vetëm për një arsye, pasi mazhoranca ka mbajtur peshën e reformës në drejtësi. E Merkeli në 2015 erdhi në Tiranë duke bërë një gjest demonstrativ spektakolar, kur injoroi dhe refuzoi të takojë Ilir Metën, por edhe Sali Berishën, si subjekte të dyshuara për korrupsion. Një shtetare e këtij niveli e bën të ditur qartë më këto gjeste sinjalin e saj, e kush nuk do ta shikojë apo bën sikur nuk e shikon, thjesht gënjen veten.
Nuk mundet Shqipëria të kalojë pragun e Europës pa të arrestuar, dhe jo vetëm gjyqtarë, jo kryeprokuror por kryeministër e president, nuk ka shkallë që bie më poshtë dhe kjo është e vulosur.
Ideja ka qenë që SPAK ta kishte nisur përpara zgjedhjeve të 25 prillit të paktën hapjen e dosjeve të Peshqve të Mëdhenj. Por qëndrimi i Edi Ramës, sikur e smbrapsi edhe një vullnet që mund të ketë qenë i tillë. E kjo natyrisht nuk falet. Në 25 prill do të shkojnë së bashku edhe Edi Rama edhe Sali Berisha, edhe Ilir Meta, edhe Lulzim Basha, për të tentuar të marrin sërish imunitet politik.
E këtu Merkeli duket se ka marrë për bazë tezën e bablokut për bandat: “Kokën e vet hëngshin me njëri-tjetrin”. Kush del gjallë nga lufta, do të shpëtojë.
Po a do të shpëtojë se, kështu mendonte edhe Hashim Thaçi pak muaj më parë…?!/Pamfleti