Aktualitet30 Dhjetor 2022, 14:50

Merr fund kaosi në veri të Kosovës, hiqen të gjitha barrikadat; nis qarkullimi në Jarinjë dhe Bërnjak

Shkruar nga Pamfleti
Merr fund kaosi në veri të Kosovës, hiqen të gjitha

Ka marrë fund kaosi në veri të Kosovës. Pas afro 3 javësh tensione, sulme dhe bllokada, sot është kthyer tërësisht normaliteti. Të gjitha barrikadat janë larguar, ndërkohë që ka nisur qarkullimi dhe në Jarinjë dhe Bërnjak.

Sipas Policisë të gjitha barrikadat që kanë qenë të vendosur në veri që nga 10 dhjetori, si pasojë e të cilave këto pika ishin mbyllur, janë larguar.

Bazuar në informacionet e deritanishme, është bërë largimi i barrikadave në formën siç ato ishin vendosur, dhe pas kësaj është vlerësuar edhe hapja e dy pikëkalimeve kufitare Jarinje dhe Bërnjak, të cilat sot (30.12.2022) në orët e pasdites janë hapur për qarkullim”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Më tej bëhet e ditur se zyrtarët policorë në veri të vendit dhe në këto dy pikëkalime kufitare, do të vazhdojnë me realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore në interes të rendit publik dhe kushtetues.

Bllokimi i kundërligjshëm i rrugëve, sulmet e kryera ndaj institucioneve të sigurisë, mediave dhe qytetarëve, kishin ndikuar në përkeqësimin e situatës dhe në vështirësimin e jetës së qytetarëve të asaj zone të cilët nuk kanë mundur të kenë lëvizje të lirë si dhe nuk e kanë pasur qasjen e lehtë në shërbimet e tyre të nevojshme”, thuhet në njoftim.

Pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak ishin mbyllur më 10 dhjetor, pasi serbët lokalë kishin bllokuar disa rrugë, në shenjë revolte ndaj arrestimit të ish-policit të Kosovës, Dejan Pantiç. Ai u arrestua si i dyshuar për organizimin e sulmeve ndaj zyrtarëve të Komisioneve Komunale Zgjedhore në veri dhe Policisë së Kosovës dhe më pas u lirua në arrest shtëpiak.

Kryesore Bërnjak Jarinjë veriu i Kosovës