Politike16 Maj 2019, 09:39

Meta-Berisha në alarm nga ripërsëritja e 17 majit, ultimatum Bashës të tërhiqet nga ‘flirtet’ me Ramën

Shkruar nga Pamfleti
Meta-Berisha në alarm nga ripërsëritja e 17 majit, ultimatum

Meta-Berisha në alarm nga ripërsëritja e 17 majit, ultimatum Bashës të tërhiqet nga 'flirtet' me Ramën

Deklaratat e së martës të kryeministrit Edi Rama dhe kreut të PD, Lulzim Basha për t’u ulur në tryezë, kanë rindezur tensionet brenda opozitës. Të premten shënohet 2 vjetori i paktit të 17 majit dhe sinjalet janë se po shkojmë drejt një marrëveshjeje të ngjashme.

Por duke qenë se në vitin 2017 ishte LSI partia që e pësoi më shumë, anëtarët e saj kanë filluar të shqetësohen. Dje kreu demokrat Lulzim Basha priti në një takim aleatët e tij për të vendosur mbi axhendën që do të ndiqet në aksionin përballë qeverisë. LSI në këtë takim përfaqësohej nga Petrit Vaisli dhe ky i fundit ka qenë skeptik.

Burime shumë të sigurta thanë se ish-kreu i grupit parlamentar të LSI, ka deklaruar se duhet të bëhet kujdes nga dialogu me Ramën, pasi opozita mund të dalë e humbur. Ai ka kërkuar që të vijojë plani për të mos lejuar mbajtjen e zgjedhjeve vendore.

Pra duket qartë se LSI ka filluar të trembet, pasi nga pakti i 17 majit u vendos që palët të hyjnë pa koalicione dhe kjo e shpartalloi partinë e Metës. Një tjetër emër që e ka treguar qartë se LSI nuk e do diçka të tillë është Ylli Manjani. “‘Duhet dialog politik’- thonë. Dakord! Në parim, dialogu është koncept i pakundërshtueshëm. Pyetja e vërtetë është: Për çfarë e me ç’objektiv? Nëse dialogu synon “lumturimin” e palëve politike, apo kryetarëve të partive, u shoftë kjo ide! Nuk kemi hiç nevojë për këtë. Shqipërisë i duhet sot vetëm një datë zgjedhjesh politike. Duhet rivendosur pluralizmi politik në Parlament. Pastaj vijnë të tjerat… Nëse ky është objektivi i dialogut po, e mirëpresim”, ka deklaruar ai, duke treguar qartë frikën e LSI.

Lëvizjet e Berishës

Përveç kundërshtive të LSI, kundër Bashës ka dalë dhe Sali Berisha. Në të gjitha takimet e djeshme Berisha ka qenë prezent, duke monitoruar nga afër Bashën. Sipas burimeve, edhe ai ka qenë pro vijimit të protestave dhe planit për të destabilizuar vendin më 30 qershor, duke dalë kundër tryezës me Ramën. Gazeta ka mësuar se Berisha është ai që po nxit përplasje e revolta. Ditën e shtunë, Basha pas protestës mblodhi deputetët, krerët e degëve dhe përfaqësues të tjerë, për të diskutuar se si do vijohej përballë qeverisë, duke qenë se u ndalua dhe Sahit Dollapi. Në takimet e zhvilluara, Berisha ishte ai që kërkoi që të vijojnë protestat e ashpra, duke argumentuar se duhet shfrytëzuar ndalimi i Dollapit. Por ai u lirua ditën tjetër dhe kjo prishi skenarët e dhunës. Në atë takim Berisha ja bëri të qartë Bashës se duhet të vijohet me të njëjtin intensitet, ndërkohë që Tirana ishte tym e flakë. Nga gjithë takimet e të dielës dhe të ditëve të fundit, kuptohet qartë se LSI e Berisha duan tensione e dhunë dhe jo dialog me PS. Rama të martën e përjashtoi Kryemadhin nga negociatat dhe i shtriu dorën Bashës. Ky ishte sinjali i parë se po shkohet drejt një 17 maji të dytë. Por Berisha dhe njerëzit e Metës janë trembur, pasi i druhen një pakti që mund t’i nxjerrë ata jashtë loje.

Detajet e takimit

Në takimet që Basha ka zhvilluar dje me krerët e degëve, ka dhënë sinjale të qarta se po shkohet drejt dialogut. Ai ka deklaruar para kryetarëve se janë ndërkombëtarët ata që po i bëjnë presion të vazhdueshëm dhe për këtë arsye është u detyruar që të shkojë drejt një zgjidhjeje për krizën. Të martën si Basha, ashtu e Rama u treguan të gatshëm të ulen, ndërkohë që pritet që në ditët në vijim të hyjnë në lojë ndërkombëtarët me qëllim që të gjendet konsensusi. Burime të gazetës thanë se PD do kërkojë fillimisht shtyrjen e zgjedhjeve vendore për në shtator. Mbetet të shihet se sa do arrihet një konsensus, por duket se jo të gjithë janë dakord, pasi LSI e Berisha i tremben një pakti të dytë./Sot

Politike