Meta e Monika të shqetësuar, “donatorët” biznesmenë janë larguar. Kërkon nga Rama pjesë tek koncensionet dhe orientohet për financim nga krimi e trafiqet

Meta e Monika të shqetësuar, “donatorët” biznesmenë janë larguar. Kërkon nga Rama pjesë tek koncensionet dhe orientohet për financim nga krimi e trafiqet

Ka një shqetësim në rritje të Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit që reflektohet në përgatitjet për zgjedhjet e përgjithshme për pushtetin vendor që zhvillohen qershorin e ardhshëm.

Për herë të parë LSI, teksa kemi hyrë në vitin elektoral, është tërësisht e papërgatitur për zgjedhjet, si në drejtim të koalicioneve ashtu dhe nga ana financiare.

LSI në zgjedhjet vendore asnjëherë nuk ka hyrë vetëm, por gjithnjë ose me PS ose me PD, duke shkaktuar ndoshta dhe rezultate surprizë dhe duke shënuar fitore dhe rritje të paimagjinueshme.

Më përfituese ka qënë në zgjedhjet vendore të vitit 2015, teksa mundi të shkëpusë nga Rama dhe PS bashki të mëdha, ku kishte kandidatët e vet. Ku mund të përmendim  Jugun e vendit, në Berat dhe Gjirokastër fitoi, ndërsa bashkitë e tjera që mori, kishin peshë të papërfillshme.

Por teksa ka dy muaj që kemi hyrë në vitin elektoral, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi po shohin me shqetësim se të gjithë biznesmenët që kishin financuar fushatat elektorale paraardhëse tashmë janë larguar.

Kanë mbetur disa biznese që nuk mund të përballojnë fushatën me kosto shumë të lartë të LSI, aq më tepër që Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi kanë firmosur kontrata të majme me firmat lobuese në SHBA për të mbështetur LSI dhe mbi të gjitha për të sulmuar qeverinë e Ramës.

Mësohet nga selia e LSI se Meta dhe Monika janë në përpjekje të ethshme për të bindur biznesmenët financues, se në një formë apo tjetër do të ketë peshë LSI në pushtetin vendor, por dhe ka premtuar se ballanca e koalicionit ku LSI do jetë, do të anojë nga fitorja.

Bizenset që deri më tani e kanë mbështetur në shuma marramendëse LSI, thonë nën zë se LSI nuk ka asnjë shans për të qënë në pushtet me PD dhe Lulzim Bashën. Dhe për këtë arësye është një investim i shkuar dëm financimi i Metës dhe Monikës.

Për më tepër që për nga vetë natyrën e biznesit por dhe të shqiptarit, ata janë të orientuar më shumë drejt qeverisë dhe partisë në pushtet, dhe maksimumi mund të hedhin paralel ndonjë lek për partinë më të madhe opozitare PD.

Mësohet se kupola e LSI ka ngritur një strategji për t’i bërë presion Ramës që të bëjë pjesë e koncensioneve të shumta që po jep, edhe disa nga biznesmenët e LSI që kanë mbetur. Ose të arrijë sëpaku të fusë në punë ato firma që shfrytëzojnë makineritë që lëshohen me qira nga kompanitë e Monikës.

Nuk kalon ditë që Petrit Vasili apo mbështetësit e tjerë të kupolës së LSI të mos jenë në media duke i bërë presion Ramës për koncesionet, mënyrën e dhënies së tyre dhe duke e akuzuar se po abuzon rëndë me paratë e shtetit.

Jo se nuk ka të vërteta në këto akuza të kupolës së LSI të dirigjuar nga Meta e Monika, pasi Rama s’po lë kusur me koncesionet e dhëna, duke përfituar me gjithë klientelën miliona euro. 

Por qëllimi i këtyre sulmeve nga ana e LSI është thjeshtë dhe vetëm personal, për të marrë pjesën e vet Meta me Monikën, në “tortën” e abuzimit me pushtetin.

Nga ana tjetër Monika dhe Meta as që mendojnë të prekin ‘rezervat’ e tyre të pasurisë për të financuar partinë apo fushatën elektorale të zgjedhjeve të ardhshme vendore.

Burime nga LSI saktësojnë se për ata që nuk kanë para, do të jetë e vështirë të kandidojnë qoftë dhe për një këshilltar të thjeshtë bashkiak, pasi për të kandiduar do gjenden njerëz që vetëm siglën do të kenë të LSI, ndërkohë që paratë do t’i kenë vetë. Por do të kontribuojnë dhe për “arkën” e Monikës.

Nuk përjashtohet mundësia që LSI të orientohet dhe nga paratë e krimit dhe të trafikut të drogës, duke u garantuar kriminelëve në qarkullim, mbrojtje politike.

Nuk e kanë për herë të parë këtë gjë Meta me Monikën, pasi kanë aktualisht nipin e Klemend Balilit kryetar të Bashkisë së Delvinës. Por dhe Rama e ka aplikuar rëndë këtë variant.

Dhe në kushtet kur bizneset po braktisin LSI, Monika e Meta po u drejtohen burimeve “alternative” për të përballuar ndoshta fushatën më të vështirë elektorale nga themelimi i LSI./Pamfleti/