Aktualitet 9 Gusht 2018, 21:21

Meta kërcënon Ramën me përplasje civile, këshilltari i Metës nga dreka e përbashkët në Pervallë të Kosovës vuri “k

Shkruar nga Pamfleti

Meta kërcënon Ramën me përplasje civile, këshilltari i Metës nga dreka e përbashkët në Pervallë të Kosovës vuri “kufi” shtatorin. Presion për bashkëqeverisje?!

Ish- kryetari i LSI dhe aktualisht President i Republikës, Ilir Meta po bën të pamundurën që ta fusë një këmbë në qeverinë e Ramës që në shtator të këtij viti.

Teksa ka përdorur dhe një paralajmërim të Ramës për ministrat e tij se në shtator do të bëhet bilanci i punës dhe ata që nuk kanë performancë do të ikin, ish kreu i LSI po tenton përmes të gjithë mënyrave për të pasur ministrat e Monikës në qeveri.

Herë vetë përmes bllokimit të ligjeve të qeverisë e herë përmes kërcënimeve të këshilltarëve të brendshëm dhe të jashtëm të tij, Ilir Meta e ka kthyer në një “target” veror dhe në një obsesion pjesëmarrjen me patjetër në qeverisje.

LSI ka kaluar një vit jashtë qeverisë dhe Meta e Monika nuk e konceptojnë dot faktin që të kenë “shterruar” dërgesat e valixheve me para në vilën në Gjirin e Lalzit apo në pallatet në Tiranë.

Por një kërkesë e tillë është dhe për faktin se duke qënë në qeveri në këtë periudhë të vështirë Vettingu dhe zbatimi të reformës në drejtësi, ndjehen më të mbrojtur nga prangat, pasi dosjet e rënda në ngarkim të tyre vetëm burgun u rezervojnë.

Për këtë arësye Ilir Meta ka zgjedhur të kërcënojë Ramën madje dhe me përplasje civile në shtator, nëse nuk lëshon pushtet në favor të LSI por dhe të PD.

Dhe këtë kërcënim Meta ka zgjedhur ta bëjë përmes këshilltarit të tij të jashtëm Çim Peka, gazetar i Shkëlzen Berishës. Një kërcënim që Peka e ka bërë nga Pervalla, ku bashkë me Metën dhe grupin që e shoqërojnë Presidentin janë mbi një javë me pushime malore.

Këtë e tregojnë fotot dhe postimet e vetë gazetarit të Zenit, por të rikthehemi te kërcënimi. “Si tha i sëmuri mendor? Për një vit do jem unë drejtësia!! Kush mendon se në vjeshtë nuk do ketë përplasje civile është thjeshtë budalla.

Uroj që të mos dalë një Neritan tjetër t’i kthejë të revoltuarit në kërkim të demokracisë nga rruga. Nuk e di cila do jetë kostoja, por di që në fund të vitit të gjithë do thoni: Sa e lehtë paska qenë të largojmë këtë frikacak që bënte arrogantin. Do e kuptoni që ishte thjeshtë një plehrë…”, lëshon kërcënimin e parë këshilltari i Metës, përmes rrjetit social.

Duke paralajmëruar në shtator përplasje civile, Peka që është dhe një “urë lidhëse” mes Berishës dhe Metës, ka dhënë dhe qëndrimin e pjesës radikale të PD-së që ëndërron këtë përplasje civile në shtator, për të ardhur në pushtet apo për të bashkëqeverisur të gjitha partitë.

Pastaj këshilltari i Metës kalon në kërcënimin tjetër, po të postuar nga drekërat e përbashkëta me Ilir Metën në Pervallë, kërcënime që kanë të njejtin “tekst”: Qeverinë.

“Opozitës nuk i jap pushtetin dhe drejtësinë që po emëroj”, për të tjerat bisedojmë! Çfarë ka tjetër ky që e do opozita? O budallai i Surrelit, nuk e di dëmin që do bësh, por që do i japësh të gjitha, për këtë vëmë bast.

Ose do ja japësh kësaj opozite, ose do t’i marrë një opozitë tjetër. Por kur t’i marrin, bëji mirë llogaritë, se ti je dhe trim”, paralajmëron këshilltari i Metës dhe gazetari i Shkëlzen Berishës. Duke përmendur dhe “opozitën tjetër” që mund të jetë një “aliazh” radikal Meta-Berisha.

Emëruesi i përbashkët është se Meta i ka dërguar mesazh kërcënues Ramës përmes këshilltarit të tij më të afërt, që të bashkëqeverisë me Monikën ose do largohet me përplasje civile.

Ndoshta Rama e ka shqetësuar Metën, duke “flirtuar” vetëm me Bashën, dhe lënë jashtë “radarit” të vëmendjes për bashkëqeverisje Monikën por dhe grupin e Berishës në PD./Pamfleti/

 


Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë VIRAL në facebook : PAMFLETI

Kryesore Çim Peka Edi Rama gazetar i Shkëlzen Berishës Ilir Meta Kërcënon