Aktualitet 7 Tetor 2018, 16:46

Meta-Kryemadhi, rrogtarët miliarderë. Nga përllogaritja e pagave për 20 vite përfituan 100 milionë lekë, pa shpenzimet br

Shkruar nga Pamfleti
Meta-Kryemadhi, rrogtarët miliarderë. Nga përllogaritja e pagave

Meta-Kryemadhi, rrogtarët miliarderë. Nga përllogaritja e pagave për 20 vite përfituan 100 milionë lekë, pa shpenzimet brenda. Këtu fillon hetimi

Të ardhurat me afër 1 miliardë lekë të vjetra në 20 vitet e fundit, nuk i përgjigjen shumës së deklaruar zyrtarisht prej 2.7 milionë euro pasuri. Kjo diferencë duhet të verifikohet për burimin e të ardhurave. Al Capone, kryemafiozi në SHBA, pavarësisht krimeve, grabitjeve, pastrimit të parave, zhvatjeve dhe problemeve të tjera me shtetin, u arrestua dhe u dënua thjeshtë dhe vetëm për evazion fiskal. Dhe nuk doli më nga burgu i gjallë

 

Ilir Meta dhe bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi janë milionerët shqiptarë të politikës, të cilët deri më tani kanë deklaruar vetëm tre shtëpi banimi.

Familja pesë anëtarëshe e çiftit presidencialo-opozitar ka bërë publike vilën në Gjirin e Lalzit, e cila ka një vlerë të deklaruar prej 600 mijë eurosh. 

Njëherësh bashkë me vilën në Lalëz, Meta dhe Monika, kanë deklaruar dhe pallatin në pronësi në rrugën e “Barrikadave” me sipërfaqe mbi 200 metra katrorë dhe me një vlerë prej 400 mijë euro si dhe pallatin tjetër te “Kodra e Diellit” me një vlerë prej afërsisht 400 mijë euro.

Nuk po hyjmë fare në vërtetësinë e deklarimit të pasurisë së Ilir Metës, pavarësisht se komoditeti në vilën që ka në Gjirin e Lalzit tregon qartë se vlera është akoma më e madhe, pasi ka 11 banjo dhe vetëm kolltuqet kanë kushtuar 32 mijë euro.

Ndërkohë që oborri me ullinj 2000 metra katrorë kushton qimet e kokës, pa llogaritur lukse të tjera, duke treguar qartë se kjo vilë e tij e kapërcen të paktën pesëfish vlerën e deklaruar. Pra minimumi ka një vlerë prej 2 milionë eurosh, me të gjitha rregullimet brenda dhe oborrin.

Por nuk mund të kalosh pa llogaritur festën marramendëse të Metës për ditëlindjen e tij në këtë zonë turistike, ku ishin ftuar VIP-at e politikës, medias, biznesit dhe përfaqësitë diplomatike, shpenzimet e së cilës i kaluan të 500 mijë eurot.

Duke iu referuar vetëm deklarimeve zyrtare të pasurisë së Ilir Metës, ku vetëm për banesat në pronësi si dhe me disa shitje të “vogla” të 4 apartamenteve ku ka përfituar një shumë prej 549 mijë euro, vlera totale e deklaruar e pasurisë së Presidentit arrin afërsisht në 2.5 milionë euro.

Këtu është dhe shuma prej 500 mijë eurosh e deklaruar nga familja Meta për shpenzime të ditëlindjes së tij, pasi katunarët e kanë histori më vete mburrjen me pasurinë dhe e bëjnë publike këtë sa herë i jepet rasti, madje dhe në media siç bëri Monika, bashkëshortja e Metës.

Ndërkohë që Meta në deklaratën e tij të pasurisë ka deklaruar se ka dhe një shumë cash prej 200 mijë eurosh në një nga bankat e nivelit të dytë në Shqipëri, duke bërë që pasuria e deklaruar publikisht nga Presidenti të arrijë në 2.7 milionë euro.

Nuk po hyjmë fare në akuzat për kompanitë e mermerit, guroreve, inerteve, kromit, ndërtimit, resortet turistike brenda dhe jashtë vendit, linjat e dyqaneve të veshjeve, parave në bankat e huaja e parajsat fiskale, për të cilat akuzohen Meta e Monika se i disponojnë.

Këto pasuri që s’janë deklaruar zyrtarisht nga Meta e Monika janë objekt i organeve ligjzbatuese shqiptare dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë, që t’i gjurmojnë dhe zbulojnë.

Ne po bëjmë një përllogaritje të thjeshtë, duke marrë për bazë të ardhurat maksimale mesatare që mund të ketë pasur zyrtari më i lartë në Shqipëri, në këto 20 vitet e fundit.

Më konkretisht, nëse marrim për bazë pagën mujore 200 mijë lekë të reja, apo vlera që kuptojnë shqiptarët 2 milionë lekë të vjetra të muaj, Meta dhe Monika, si të ardhura mujore kanë futur në shtëpi 4 milionë lekë, të dy bashkë.

Duke bërë përllogaritjen për një vit kalendarik që ka 12 muaj, atëherë çifti presidencialo-opozitar ka pasur një pagë të përbashkët vjetore në shumën e 48 milionë lekëve të vjetra.

Në përllogaritjen e 20 viteve me këtë pagë mesatare, secili me nga 2 milionë lekë të vjetra në muaj, atëherë shuma përfundimtare e të ardhurave të përbashkëta të Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit është në shifrën e 960 milionë lekë të vjetra.

Një përllogaritje, e cila përmban vetëm shumën neto të të ardhurave të Metës dhe Monikës të marra nga buxheti i shtetit shqiptar, pa futur brenda faktin se, për 20 vite me radhë janë ushqyer, janë bërë me fëmijë që kanë shpenzimet e veta, i kanë shkolluar deri këtu dhe shpenzime të tjera.

Ndërkohë që në këtë përllogaritje janë përjashtuar dietat dobësuese që kanë mbajtur çifti Meta-Kryemadhi, që nuk konsistojnë në agjërimin e tyre por kanë shpenzime, si dhe ndërhyrjet plastike dhe silikonin.

Ajo që mund të themi në përfundim të këtyre përllogaritjeve është fakti se, të ardhurat e Metës dhe Monikës me afër 1 miliardë lekë të vjetra në 20 vitet e fundit, nuk i përgjigjen shumës së deklaruar zyrtarisht prej 2.7 milionë euro, pasuri e tundshme dhe e patundshme.

E themi këtë fakt, pasi ne jemi bazuar thjeshtë dhe vetëm në të ardhurat që kanë ardhur nga pagat në 20 vite, pasi Presidenti dhe kryetarja e LSI nuk kanë të deklaruar zyrtarisht asnjë lloj biznesi që mund të ketë sjellë të ardhura shtesë për familjen Meta-Kryemadhi.

Ndokush mund të pyesë se pse e bëjmë përllogaritjen nga viti 1998 deri në vitin 2018?! Eshtë fare e thjeshtë. Ne morëm për bazë një intervistë të kahershme të Monika Kryemadhit në media, e cila thoshte se deri në vitin 1998 bashkë me Ilirin hanin mëngjes, drekë e darkë bukë e djathtë, aq të këputur ishin. Kjo nuk linte vend për të bërë përllogaritje pasurie, pasi ishin të barabarta të ardhurat me konsumin dhe e thënë në zhargonin popullor, ishin copë copë.

Pas vitit 1999 kur Meta u bë Kryeministër filloi përllogaritja jonë, madje me tolerancë tepër të madhe, sepse Meta nuk e ka pasur rrogën asokohe 2 milionë lekë të vjetra në muaj. Aq më tepër Monika.

Prandaj, jo vetëm organet ligjzbatuese, por dhe qytetarët e thjeshtë e bëjnë shumë lehtë diferencën mes të ardhurave reale që kanë marrë nga buxheti i shtetit dhe atyre që kanë deklaruar si pasuri, për të parë përvetësimin e Metës dhe Monikës nga paratë e shtetit shqiptar.

Pikërisht këtu organet ligjzbatuese shqiptare duhet të fillojnë verifikimin dhe hetimin e pasurisë së Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit, por dhe të bëjnë llogaritë e të gjithë politikës me radhë.

Fundja, Al Capone, kryemafiozi në SHBA, pavarësisht krimeve, grabitjeve, pastrimit të parave, zhvatjeve dhe problemeve të tjera me shtetin, u arrestua dhe u dënua thjeshtë dhe vetëm për evazion fiskal. Dhe nuk doli më nga burgu i gjallë, duke lehtësuar frymëmarrjen e shtetit amerikan të asaj kohe. Shembulli është i qartë, mbështetja amerikane s’na mungon, duhet vetëm vullnet në zbatimin e ligjit./Pamfleti

 

Kryesore Këtu fillon hetimi Meta-Kryemadhi Nga përllogaritja e pagave për 20 vite përfituan 100 milionë lekë pa shpenzimet brenda rrogtarët miliarderë