Presidenti i Republikës, Ilir Meta, në një intervistë të dhënë sot për emisionin “Kojshia Show” të gazetarit Sadri Imeri në RTV21, ka dhënë sot disa detaje të pushimeve të tij malore, duke ndarë me teleshikuesit dhe disa nga objektivat e tij sportive që lidhen me ngjitjen në male por dhe ato për promovimin e turizmit.
Gjithashtu, Met ka folur edhe për situatën politike në vend pas një krize e cila vetëm sa po agracohet dhe zgjidhja duket të jetë ende larg. Ai kritikoi ashpër Kuvendin e Shqipërisë se po shkelin Kushtetutën duke bërë ligje për persona të veçantë.
“Praktikisht gjatë këtyre 11 vjetëve demokracia në Shqipëri ka ardhur duke degraduar dhe kjo është vënë re te parlamenti, te të gjithë institucionet e tjera dhe mbi të gjitha te mënyra se si realizohet vendimmarrja e qeverisë dhe së fundi se si parlamenti përdoret thjesht për të mbuluar paligjshmërinë e akteve të qeverisë. Pra, bëhen ligje për persona të veçantë në kundërshtim me Kushtetutën, në kundërshtim me detyrimet që Shqipëria ka nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit me BE-në, në kundërshtim me konkurrencën, në kundërshtim me parimet e mosdiskriminimit, që është një parim kushtetues e kështu me radhë.”