Presidenti e ka “sëmundje të pakurueshme” bashkëpunimin me njerëz të hurit e litarit dhe hajdutë ordinerë. E filloi si batakçi i vogël si kryetar i FRESSH duke abuzuar me vizat, e vijoi me Adi Shamkun që u dënua, me shoferin e drogës, Shkëlqim Konçi, sekretarin në MPJ Rrapi që bënte punët e pista, me “Eskobarin e Ballkanit” Balili që e bëri drejtor Transporti. Nuk i shpëtoi as vrasja me pagesë me Durim Bamin, e aktualisht me këshilltarin juridik në Presidencë, të dënuar për abuzim me pronat
Presidenti i Republikës Ilir Meta, gjatë gjithë karrierës së tij ka punuar kryesisht me njerëz të përzier në trafik droge, vrasje dhe hajdutë. E ka “sëmundje” me sa duket, nuk kurohet.
Që në krye të herës, Ilir Meta me “petkun” e politikanit është sjellë si një batakçi i vogël, kur si kryetar i FRESSH dhe nënkryetar i PS për marrëdhëniet ndërkombëtare, gjendej natë e ditë para ambasadave për të nxjerrë viza në këmbim të parave.
E çoi “numrin” e anëtarësisë së FRESSH në shifra marramendëse, duke pajisur çdo nevojtar që kërkonte vizë me kartën e anëtarësisë e lejen për të dalë në një delegacion “rinor” jashtë vendit.
Nuk janë kthyer më, dhe Holanda e Danimarka nuk kanë pse ankohen, se këtë maskarallëk Ilir Meta në atë kohë e ka bërë në bashkëpunim me ambasadorët e tyre, në këmbim të parave.
Me ardhjen e PS në pushtet pas vitit 1997, Ilir Meta e ngriti “stekën” e vjedhjes, korrupsionit dhe përfitimit me të gjitha mënyrat, duke instaluar në të gjitha postet me lekë njerëzit e tij më hajdutë dhe më të bindur.
Teksa i doli “boja” me shitjen e vagonave që kishin ardhur falas nga Austria dhe emërimin e kunatit të tij Drini Kryemadhi në Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve, gjeti një njeri të përshtatshëm për këtë punë që të kryente punët e pista: Adi Shamkun, një hajdut ordiner.
Ai cilësohej si “çuni i Metës e Monikës”, dhe pavarësisht se nuk dinte shumë shkrim e këndim kjo nuk e pengoi që të emërohet nga Likja në poste shumë të larta shtetërore, që nga Drejtor i Administratës në Kryeministrinë e drejtuar nga Meta e deri Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimeve Qeveritare dhe Drejtor i Përgjithshëm i Rrugëve.
I paharrueshëm mbetet çmimi i një luge në Drejtorinë e Pritjes Qeveritare të blerë nga Adi Shamku që shkoi në vlerën e 600 mijë lekëve të vjetër, aq sa dhe mbretëresha Elizabetë e Britanisë do ta kishte zili. Ky maskarallëk e mbajti me gallatë grupin parlamentar të PS të asaj kohe dhe Fatos Nanon, për një vit të tërë.
Adi Shamku u largua nga administrata në vitin 2002, pas një skandali të madh abuzimi e trafiku. Nga gjykate u dënua me punë publike për të pastruar Lanën, ndërkohë që Fatos Nano për t’u tallur me të kishte lënë një person që të mbikqyrte orët e punës dhe përkushtimin e tij buzë Lanës. Që prej asaj kohë s’është kthyer më në administratë, por merret me bizneset e tij, duke bërë sikur është zemëruar me Metën, Monikën dhe gjithë botën.
Por në këtë vit, Shkëlqim Konçi, që në bordero ishte shofer i Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve, por që realisht ishte njeri i afërt, shofer dhe sekser i Monika Kryemadhit dhe Ilir Metës, kapet me 20 kilogram heroinë nga policia e Shtetit në Morinë, duke tentuar ta kalojë në Kosovë.
Dënohet me burg, ndërkohë që vijon dhe sot e kësaj dite të jetë “zar” i kësaj familjeje.
Më “zulmëmadhi” ndër njerëzit e punëve të pista të Ilir Metës është Almir Rrapi, ish- zyrtari i Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë dhe sekretari personal i tij për postën diplomatike. Ai u dënua me 6 vite burg nga një gjykatë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Rrapi ka qënë nëpunës në MPJ, si sekretar ministri i kësaj ministrie, gjatë kohës që kjo ministri drejtohej nga Ilir Meta, i involvuar në qeverinë “Berisha” dhe u arrestua në korrik të vitit 2010 brenda në ambasadën amerikane, teksa kishte shkuar për të kërkuar një vizë.
Arrestimi i tij u bë me kërkesë të autoriteteve amerikane pasi do të gjykohej përtej Atlantikut, për një sërë krimesh në territorin e SHBA, drejt së cilës u ekstradua me urgjencë në bazë të marrëveshjeve midis dy shteteve.
“Një njeri që ka kryer krime jashtëzakonisht të neveritshme, pjesë e një bande të droge në Island Staten, përpara se të bëhej një ndihmës i lartë i zëvendës kryeministrit të Shqipërisë Ilir Meta u dënua me 6 vjet burg. Almir “Miri” u kthye në tradhtar me t’u ekstraduar në SHBA”, shkruante në atë kohë Nju York Post.
Me t’u ekstraduar në SHBA Almir Rrapi pranoi akuzat për vrasje në Queens, në 2005, rrëmbim e vepra të tjera kriminale në territorin e SHBA dhe vendosi të bashkëpunojë me prokurorinë.
Rrapi ishte anëtar i një bande kriminale që udhëhiqej nga Bruno dhe Saimir Krasniqi, të dy të dënuar me burg të përjetshëm. Dëshmia e Rrapit ndihmoi Gjykatën Federale të Manhatanit për të dhënë dënimin dy vëllezërve shqiptarë.
Avokati i tij Jeffri Lichtman, e quajti Rrapin “një shembull i shkëlqyer bashkëpunimi”. Betohem në Zot se gjatë 2 viteve që kam qenë në burg ndjeva neveri për ligësinë që më rrethon çdo ditë”-citon të ketë thënë Rrapi.
Ndërkohë që Meta ka qënë disa herë i mikpritur në vizitat e tij nga familja Krasniqi në SHBA, Almir Rrapi ka rrëfyer tek organet ligjzbatuese amerikane të gjitha punët e pista që ka bërë për llogari të ish shefit të tij zv.kryeministër dhe ministër të Punëve të Jashtme në atë kohë.
Ilir Meta dhe sot e kësaj dite qëndron me zemër të ngrirë se mos FBI vendos të bëjë publike dosjen e rëndë të rrëfimeve të Almir Rrapit, me aktor kryesor vetë Liken. Rrapi i cili lëvizi të gjitha trafiqet, krimet dhe maskarallëqet për llogari të bandave në Amerikë dhe Ilir Metës në Shqipëri, jeton në liri me statusin e të penduarit.
Ndërsa e sofistikoi vjedhjen dhe bashkëpunimin në krime e trafik droge, Ilir Meta bëri mik dhe punoi fort me supërtrafikantin e drogës Klemend Balili, të cilin e bëri drejtor të Transportit Rrugor në Sarandë, pjesë të kupolës së LSI dhe njeriun që mori përsipër drejtimin e kësaj partie në Sarandë, Delvinë dhe më gjërë. Madje nipi i Balilit u bë kryebahskiak i LSI në Delvinë.
Klemend Balili ka qënë financues me kohë të plotë i LSI, ndërkohë që është mbrojtur me devotshmëri nga Ilir Meta dhe ish ministri i Drejtësisë Ylli Manjani, pas shpalljes në kërkim nga ana e organeve ligjzbatuese greke dhe DEA-s amerikane të drogës.
Dhe në fund, po jo nga rëndësia, ia vlen të themi dhe dy fjalë për këshilltarin juridik të Ilir Metës në Presidencë, Bledar Dervishaj, njeriu që është vënë aty si “garant” i mbrojtjes së Kushtetutës e Ligjit.
Ish-drejtori i Agjencisë së Trajtimit të Pronave, Bledar Dervishaj, është arrestuar më parë për korrupsion. Sipas një denoncimi të një qytetari, Dervishaj u arrestua dhe ka bërë burg pasi ka tjetërsuar pronën e shtetit për interesa personale.
Mjafton që të kërkojnë në motorin e kërkimit “google” për këshilltarin e Presidentit Meta dhe do të dalin me dhjetra linqe ku thuhet se ish-kreu i AKKP së Tiranës, Bledar Dervishaj dhe 4 ish-vartës të tij, u arrestuan më 11 janar të vitit 2012, pasi spostuan 79 dynymë tokë nga fshati Gosë i Kavajës në bregdetin pranë Spillesë.
Toka iu kthye në letra familjes Jenisheri, e cila rezulton jashtë skemës së mashtrimit. Ndërkohë kthimi i 2.5 kilometrave vijë bregdetare për një familje që pronat i kishte në zonë tjetër, ka çuar në pranga ish-kreun e Hipotekës së Tiranës dhe katër zyrtarë të tjerë.
Arrestimet e kryera erdhën pas një hetimi të Task-Forcës së Prokurorisë së Tiranës, e cila zbuloi skemën e tjetërsimit të 79 dynymëve tokë, të spostuar nga një fshat i Kavajës në zonën bregdetare.
Por Dervishaj u akuzua dhe kur ishte këshilltar ligjor dhe drejtor kabineti i ministrit të Drejtësisë, në lidhje me provimin e noterisë të zhvilluar nga ministria e Drejtësisë për favorizim të disa personave me lidhje familjare me zyrtarë të ministrisë.
Përmendëm vetëm di emra, pa futur këtu bashkëpunimin me vrasësin me pagesë Durim Bami për të cilin e ka akuzuar Tom Doshi, për të treguar se Ilir Meta gjithnjë ka punuar me njerëz që kanë qënë të lidhur me trafiqet, krimin dhe vjedhjen./Pamfleti