Bota 2 Prill 2019, 08:48

Ministri i Jashtëm grek: Ballkani, hapsirë e unifikuar ekonomike

Shkruar nga Pamfleti
Ministri i Jashtëm grek: Ballkani, hapsirë e unifikuar ekonomike

Ministri i Jashtëm grek: Ballkani, hapsirë e unifikuar ekonomike

Marrëveshja e Prespës kundërshtohet nga forcat nacionaliste në të dy vendet, opozita e shfrytëzon për të fituar kapital elektoral. Ministri i Jashtëm grek Katroungalos thotë çfarë duhet bërë për zbatimin e marrëveshjes.

Giorgos Katroungalos flet me qetësi. Ministrit të Jashtëm grek i duhet qetësia dhe durimi, durimi për të bindur qytetarët e vendit të vet, se marrëveshja e Prespës, është në favor edhe të Greqisë. Të hënën (01.04), ministri Katroungalos i ftuar nga Prof. David Phillips foli në Harriman Institut për zbatimin e marrëveshjes së Prespës. Në publik ndodheshin studentë, profesorë të Universitetit Columbia, diplomatë, punonjës të OKB dhe migrantë grekë që jetojnë në Nju Jork.

“Ne e konsiderojmë marrëveshjen e Prespës, model për zgjidhjen e konflikteve në Ballkan me diplomaci dhe dialog dhe jo me dhunë dhe kërcënime”, thotë ministri grek, “sepse ka ende nacionalizëm në rajonin tonë”. Ballkani mund të jetë një hapësirë e unifikuar ekonomike, thotë ministri Katroungalos, duke e quajtur pjesë të strategjitë se vendit të vet, promovimin e perspektivës europiane të Ballkanit Perëndimor dhe marrëdhënieve të mira ekonomike, tregtare. Kryeministri grek, Alexis Tsipras, viziton të martën Shkupin, i shoqëruar nga një delegacion biznesmenësh.

Argumentet e kritikëve

Në Greqi ka reagime shumë emocionale kundër marrëveshjes, shpjegon ministri. Një nga frikërat që kanë disa qytetarë të Greqisë është se produktet me emrin Maqedoni do të eksportohen më pak. “Kjo ka ndodhur në të kaluarën, sepse fqinji ynë e ka përdorur këtë emër pa kriter,” thotë ministri. Përdorimi i këtij emri në produkte nuk ka qenë rregulluar me ligj kombëtar, por nga tregu. “Marrëveshja e Prespës është lidhur midis shteteve. Tani duhet të lidhet edhe nga sektori i biznesit privat të të dy vendeve”, thotë Katroungalos. Dhomat e tregtisë duhet të merren me këtë çështje.

Sa të vështirë e kanë politikanët grekë të bindin qytetarët e vendit të vet e tregon një pjesë e publikut në sallë. Qytetarë grekë që jetojnë në Nju Jork ankohen të emocionuar, ndërpresin bisedën, largohen në shenjë proteste dhe një djalë i ri që merr fjalën thotë gati duke qarë se Marrëveshja e Prespës nuk është e drejtë, sepse i “jep identitetin qytetarëve të Maqedonisë”.

Nuk është hera e parë që ministri i Jashtëm e dëgjon këtë. “Qeveria greke është akuzuar se ka përdorur në kapitullin e parë të Marrëveshjes së Prespës termin “nationality”, si term që i referohet etnitetit të fqinjëve tanë. Të dy qeveritë e kanë bërë të qartë se termi “nationality” ka të bëjë me nënshtetësinë, jo me nacionalitetin. Nënshtetësia është ajo që lidh qytetarin me shtetin”, shpjegon ministri grek Giorgos Katroungalos.

„Sa i përket identitetit, vazhdon ai më tej, ne nuk mund të diktojmë fqinjët tanë për çështjet e identitetit. Ajo që kemi bërë ne është që në marrëveshje, në artikullin 7 e bëjmë të qartë se Maqedonia antike nuk ka të bëjë me Maqedoninë Veriore. Po ashtu kultura dhe trashëgimia e tyre nuk është e njëjta me tonën.”

Çfarë duhet bërë?

“Shumë grekë nuk duan që fjala Maqedoni të përdoret nga një vend fqinj.” Ministri i Jashtëm këshillon të gjithë qytetarët që të lexojnë marrëveshjen. Ai mendon, se pala maqedone e ka më të lehtë të shohë të mirat nga marrëveshja, sepse pas saj u hap perspektiva euroatlantike për vendin. Kurse pala greke duhet të presë të shohë për shembull përfitimet ekonomike që vijnë nga marrëveshja.

“Njerëzit duhet të shohin rezultatet ekonomike të marrëveshjes,” thotë ministri i Jashtëm. Po ashtu duhet punuar me të rinjtë, duhet të pastrohen librat e shkollave nga nacionalizmat. “Ballkani duhet të kthehet në hapësirë të lirë ekonomike, jo me forca hegjemoniste, dhe ne duam të jemi protagonistë të këtij procesi,” thotë ministri i Jashtëm grek, Giorgos Katroungalos./DW

Ballkani Ballkani Giorgos Katroungalos marrëveshja e Prespës ministri i Jashtëm grek