Është shkarkuar nga detyra një punonjës mjekësor izraelit, i regjistruar në kamera duke pështyrë një portret të Jezusit, në një shtëpi kristiane ku ishte dërguar për të kryer një test Covid-19.
Në korridorin e apartamenteve të zonës Jaffa, në TelAviv, shihet në pamje se si mjeku hebre heq veshjet mbrojtëse dhe pështyn në tre piktura të Jezusit.
Më pas ai shihej duke vendoste përsëri maskën dhe duke u ngjitur në një ashensor. Por në dalje të ndërtesës ai konfrontohet nga një banor që i kërkon llogari për veprimin.
Në videon e regjistruar nga banori, ky i fundit i thotë: “Ti pështyn në pikturat e mia, në të cilat ne besojmë, para syve të mi dhe para kameras. Përse e bën këtë?”
Shërbimi izraelit i ambulancës tha se dënonte rëndë veprimet e punonjësit.
Ai ishte shkarkuar menjëherë pasi kompania Magen David Adom tha se punonjësi “nuk mund të ishte më një përfaqësues i organizatës”.