Monika ia pret shkurt Ramës: Kurrë më! S’mund të mbajmë këtë mëkat mbi kurriz

“Unë po iu them që kemi një komunikim zyrtar me LSI për këtë çështje, por dua të theksoj që e rëndësishme është që të ruajmë konseguencën për qëndrimet tona për magjistraturën. LSI duhet të qëndrojë konseguente si një vit më parë. Komunikimi nga LSI me individë? Shpresoj që në Kuvend ka deputetë me prirje europiane që duan që reforma në drejtësi të vijojë.”



Kjo ka qenë deklarata e Taulant Ballës lidhur me ndryshimet ligjore për Shkollën e Magjistraturës, votim i cili u shty, pasi shumica nuk i kishte 84 votat që i nevojiteshin.

Ky qëndrim i Ballës ka irrituar kryetaren Monika Kryemadhi e cila në një reagim në rrjetet sociale se LSI nuk do të ofrojë kurrë ndihmë për Ramën.

“LSI nuk do të jetë kurrë pjesë e pazareve për të shpëtuar Edi Ramën! Asnjë marrëveshje apo bisedim nuk ka dhe nuk do të këtë për t’i zgjatur agoninë kësaj qeverie, që e zhytur në krim, trafiqe të paligjshme dhe korrupsion po përpiqet, që në grahmat e fundit, të mundet të shpëtojë me manipulime të tilla.

LSI ka qënë dhe do të jetë pro dhe pjesë e çdo takimi apo tryeze, që trajton dhe diskuton përmirësimin e jetës së shqiptarëve dhe largimin e klikës së Edi Ramës.

Çdo përpjekje tjetër për ta përfshirë LSI në bisedime është thjesht pjesë e fantazisë së sëmurë të Edi Ramës, që sot më shumë se kurrë është i gatshëm të blejë e të shesë çdo gjë e çdokënd në emër të pushtetit, por që duhet t’a ketë më shumë se kurrë të qartë, se për të shpëtuar karrigen e tij nuk do ketë kurrë ndihmën e LSI.

Ne do të vazhdojmë të jemi pjesë e opozitës së bashkuar, me qëllimin e qartë dhe të saktë, largimin e pushtetit banditesk të Edi Ramës! Të shpëtosh sot Edi Ramën do të thotë të shkatërrosh përfundimisht të ardhmen e shqiptarëve, dhe këtë mëkat LSI nuk e merr në kurriz”, deklaron Kryemadhi.