Deputeti gjerman Gunther Krichbaum, duket se është i vetmi mik që i ka mbetur Lulzim Bashës. Pak ditë më parë ai doli hapur kundër hapjes së negociatave dhe kjo erdhi pas një takimi me liderin e PD. Por një mbështetës i demokratëve ka qenë dhe Zsolt Nemeth, kreu i Komisionit të Jashtëm në Hungari. Një vit më parë ai u bë pjesë e çadrës së PD dhe mbrojti kauzat e saj.
Mirëpo dje ai ka ofruar mbështetje të hapur ndaj qeverisë për negociatat. Kjo u bë e ditur nga deputeti socialist Ervin Bushati, i cili ka pasur dje një takim kokë më kokë me të.
“Gjatë takimit miqësor dhe bashkëpunues me kryetarin e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit hungarez, Z. Zsolt Nemeth, bashkë me koleget Klotilda Bushka & Almira Xhembulla, diskutuam mbi lidhjet historike dhe ekonomike të dy vendeve tona: të shëndetshme dhe me tepër potencial për të ardhmen.
Hungaria mbështet dhe do vazhdojë të mbështesë Shqipërinë në BE dhe rrugën drejt familjes europiane. Ashtu siç ka mbështetur edhe Kosovën, historikisht. Evropa është një projekt paqeje dhe prosperiteti për vendet e Ballkanit dhe më tej, me një perspektivë zhvillimi ekonomik: si projekte tregtare dhe turizmi me shumë potencial, pasi reforma në drejtësi dhe siguria në investime mundësojnë investime hungareze dhe europiane e më gjerë në të ardhmen.
Mbështetja hungareze në integrimin europian është një kapital i rëndësishëm dhe mbështetja e një miku të Shqipërisë në Parlamentin hungarez është lajm shumë i mirë për Shqipërinë”, tha Bushati në rrjetet sociale. Pas vendimit për negociatat ka pasur debate në politikën shqiptare.
Pak para se KE të tregonte progres-raportin, Basha nisi një tur takimesh në Gjermani dhe nga PS pati akuza se po lobonte kundër negociatave. Më pas ishte gjermani Gunther Krichbaum, ai i cili tha se është ende herët për hapjen e negociatave dhe sinjalet ishin se lobimet e Bashës dhanë efekt. Por dje deputeti Bushati dëshmoi se Basha e ka humbur mbështetjen e hungarezëve.