Duket se vala tjetër e pandemisë Covid-19 ka goditur sërish Europën, por secili vend tashmë e ka në dorën e tij se si do ta menaxhojë situatën. Në një kohë që Gjermania dhe Britania e Madhe ka filluar lehtësimin e disa masave, qeveria finlandeze ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme për rritjen e infektimeve të koronavirusit.
Kryeministrja Sanna Marin javën e kaluar kishte marrë një vendim në parim për shpalljen e një gjendje të jashtëzakonshme, njoftoi gazeta Helsingin Sanomat.
Arsyeja kryesore e vendimit është se restorantet nuk mund të mbyllen sipas Aktit aktual të Sëmundjeve Infektive. Vendimi vjen ndërsa variante të reja kontribuojnë në një rritje të mprehtë të infektimeve në vend, i cili tashmë ka mbyllur kufijtë e tij.
SipasReuters, gjendja e jashtëzakonshme gjithashtu do të lejojë qeverinë të mbyllë më tej shkollat dhe të kufizojë lëvizjen midis rajoneve.
“Qeveria e sheh të nevojshme që të gjithë të kemi më pak kontakte. Të gjithë tani kanë mundësinë të ndikojnë se si do të dalin pranvera dhe vera.”-tha kryeministrja Sanna Marin në një konferencë shtypi.
Disa rajone finlandeze kanë parë një rritje të shpejtë të infektimeve Covid-19 në dy javët e fundit, me shpërthime midis skiatorëve në Lapland dhe punëtorëve në kantieret e transportit dhe vendet e ndërtimit. Finlanda, është ndër vendet evropiane më pak të prekura nga virusi deri më tani, ka regjistruar 58,064 raste dhe 742 vdekje që nga fillimi i pandemisë me 210 persona aktualisht të shtruar në spital.