Lacio është kualifikuar në raundin çerek-final të Kupës së Italisë, pasi ka mundur Parmën me rezultatin 2-1. Parolo ka zhbllokuar ndeshjen në minutën e 23 me një goditje të saktë me kokë, pas një asisti të bukur të Pereiras.
Verdheblutë barazuan në minutën e 83 me Mihaila, por goditja e mrekullueshme me kokë e Muriqit në minutën e fundit shuajti shpresat e miqve dhe kualifikoi ekipin e Inzagit.
Në çerek-finale, Lacio do të përballet me Atalantën.
Atletiko e Madridit ka mundur 2-1 Eibarin në ndeshjen e prpapambetur të kampionatin spanjoll. Kolçoneros e pane veten në disavantazh pas vetëm 12 minutash lojë pas një penalltie të shkaktuar nga Vrsaljko.
11-metërshin e mori përsipër Dmitroviç, i cili nuk gaboi dhe u bë portieri i parë që shënon me penallti në kampionatin spanjoll që nga viti 2003.
Përmbysja e madrilenëve erdhi me Luis Suarez. Uruguaiani barazoi në minutën e 40 të pjesës së parë dhe shënoi golin e fitores me penallti në minutën e 88.
Me këtë fitore, Atletiko e Madridit kryeson kampionatin me 44 pikë, ndërsa Eibar mban vendin e 15 me 19 pikë.
Barcelonës i janë dashur 120 minuta për të mposhtur Kornelën për të siguruar një vend në 1/8-at e kompeticionit.
Katalanasit në minutën e 39 humbën një penallti nga Pjanic dhe vazhduan në minutën e 80 me penalltinë e humbur nga Dembele.
Francezi e shleu gabimin në fillimin e kohës shtesë, duke zhbllokuar ndeshjen me një gol të bukur nga jashtë zone. Në fundin e 30 minutëshit të shtesës erdhi edhe goli i sigurisë për miqtë i realizuar nga Braithwaite.