Aktualitet15 Dhjetor 2018, 15:11

NATO ndez motorët, së shpejti bazë ushtarake në Kuçovë

Shkruar nga Pamfleti
NATO ndez motorët, së shpejti bazë ushtarake në

NATO ndez motorët, së shpejti bazë ushtarake në Kuçovë

NATO ka nisur lëvizjet për të ngritur bazën e saj ushtarake në Kuçovë. Ditën e djeshme zëvendëssekretarja e Përgjithshme e Aleancës së Atlantikut të Veriut (NATO), Rose Gottemoeller vizitoi Tiranën, ndërsa zhvilloi një sërë takimesh me zyrtarë të lartë të vendit si ministren e Mbrojtjes, Olta Xhaçka dhe ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushatin, ndërsa ra në sy mungesa e takimit me Presidentin Ilir Meta. Sipas burimeve të ‘Sot’, vizita e numrit dy të NATO lidhet dhe me ngritjen e bazës në Kuçovë. Deri më tani nuk kanë nisur punët në këtë bazë, por gjatë takimeve të zhvilluara dje mes zyrtarëve të qeverisë dhe Gottemoeller, është detajuar plani i asaj se si do të ndryshojë baza.

Shumë shpejt NATO do akordojë fondin, ndërsa dje duket se janë ndezur motorët që në fillim të 2019 të nisin punët që baza të përfundojë sa më shpejt. Po ashtu mësohet se gjatë takimeve që ka pasur me zyrtarët e shtetit shqiptar, zonja Rose Gottemoeller ka kërkuar nga palët që të faktorizohet roli i Shqipërisë në rajon, kjo edhe për faktin se NATO zgjodhi pikërisht vendin tonë për të financuar dhe ngritur bazën e saj. Po ashtu, mësohet se gjatë takimeve mes palëve numri dy i NATO ka vlerësuar reformat e ndërmarra nga qeveria dhe ka vlerësuar Shqipërinë duke e konsideruar një aleate strategjike për Aleancën dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi dhe vetë zonja Gottemoeller është një qytetare amerikane.

Xhaçka takon Gottemoeller

Numrin dy i NATO u prit fillimisht nga ministrja Olta Xhaçka, ku mbajtën dhe një konferencë shtypi. Xhaçka theksoi se Shqipëria mbetet e përkushtuar dhe e vendosur për angazhimin e saj në forcat euroatlantike, për të kontribuar për ruajtjen e solidaritetit dhe uniteti të Aleancës. Duke u ndalur tek investimet sa i përket buxhetit të mbrojtjes për vitin 2019 , ministrja Xhaçka u shpreh se qeveria ka në prioritetet e saj projektin për rritjen e investimeve për modernizimin e Forcave të Armatosura.

“Ne jemi shumë entuziastë që NATO zgjodhi Bazën Ajrore të Kuçovës, si një bazë taktike për operacionet e Aleancës në rajonin e Ballkanit. Ky është tashmë një projekt ambicioz në të gjitha drejtimet, i cili konfirmon vendin tonë si lider sigurie në rajon dhe më gjerë. Më lejoni të nënvizoj se kontributet e Shqipërisë në NATO janë dëshmia më e mirë e kontributit real të vendeve të vogla në drejtim të sigurisë kolektive. Konkretisht, Shqipëria në më pak se 2 vjet ka trefishuar praninë e trupave (136 personel) në Misionin e NATO-s në Afganistan, mbështet fuqimisht Misionin e KFOR në Kosovë, është e angazhuar në Prezencën e Forcës së Përparuar të NATO-s në Letoni si dhe në aktivitetin detar të NATO-s në Detin Egje”, deklaroi Xhaçka.

Gottemoeller vlerëson rolin e Shqipërisë në NATO

Gjatë deklaratës së përbashkët për media, zv/sekretarja e Përgjithshme e NATOS, Rose Gottemoeller vlerësoi kontributin e deritanishëm që ka dhënë vendi ynë në NATO, ndërsa bëri me dije se NATO do të investojë 51 milionë euro për modernizimin e Forcave të Armatosura në Kuçovë. “E vlerësoj faktin që Shqipëria po kryen investime të shumta te Forcat e Armatosura. Kjo s’ka të bëjë thjesht me financimin por është një investim i mirëfilltë për kapacitetet ushtarake të cilat kontribuojnë si pjesë e NATOS. Përgëzoj suksesin e forcave tokësore. NATO është e angazhuar për të kontribuar në sigurinë e Shqipërisë. Ne do të investojmë 51 milionë euro për të modernizuar bazën e forcave ajrore në Kuçovë. Ky projekt rrit vendosmërinë dhe synimin për të modernizuar nivelin e sigurisë”, deklaroi numri dy i NATO, Rose Gottemoeller.

Aktualitet baze ushtara ne kucove NATO ushtria shqiptare