Aktualitet15 Maj 2019, 20:17

Ndërkohë që është nën hetim, Loredana xhiron klipin, takon fansat dhe rrit “followersat” në Instagram

Shkruar nga Pamfleti

Ndërkohë që është nën hetim, Loredana xhiron klipin, takon fansat dhe rrit "followersat" në Instagram

Ditët e fundit Loredana Zefi na ka befasuar me ngjarjet që kanë ndodhur në jetën e saj. Papritur në showbiz u shfaq një skenë mashtrimi si në filma në qendër të së cilës ishte reperja e njohur shqiptare.

Ato që deri dje i mendonim se mund të ishin skenare të një filmi aksion-krim, rezultuan në një ngjarje reale të zhvilluar në Zvicër. Një çift zvicerian ka ngritur akuza serioze mashtrimi (aq serioze sa mund të numërohen 900 mijë franga) që prekin drejtpërdrejtë Loredanën por edhe pjesëtarë të tjerë të familjes.

Lajmi mori dhenë brenda dy ditëve; u fol për arrest, për marrje në pyetje, përfshirje të shumë njerëzve përreth reperes si familjarët e saj por edhe Mozzikut dhe Getinjos. Ndërkohë që ngjarja u shpërnda, u përfol, u transmetua dhe madje iu mbivendosën edhe akuza të reja (një ish-mikeshë e Loredanës doli në skenë dhe e akuzoi në media për mashtrim) duket se vetë Loredana bëri gjënë që askush nuk e priste: “Nuk e prishi terezinë”, përkundrazi e shfrytëzoi aq mirë sa është e frikshme ta mendosh!

Nëse do ishit në mes të një akuze të rëndë mashtrimi( thuhet se nëse vërtetohet se Loredana është me faj rrezikon dëbimin nga Zvicra por edhe burg deri në 5 vite) a do të merrnit guximin dhe a do të ishit mjaftueshëm i qetë sa të përballeshit me median( madje edhe ta fajësonit se ju ka lënduar)? Të xhironit spote apo videoklipe, të përballeshit me gazetarët e madje t’i mbyllnit dhe gojën? Apo të publikonit në rrjete sociale sikur asgjë të mos kishte ndodhur? Epo ja që Loredana e bëri.

Një ditë pasi dha deklaratën në polici Loredana u nis drejt Kosovës, kjo sepse kishte planifikuar të xhironte një klip të cilin kurrsesi nuk dëshironte ta zhvendoste në plane. As 24 orë pas mbërritjes në Kosovë thirri gjithë mediat në një konferencë shtypi dhe dha versionin e saj të gjithë ngjarjes: Ato lekë nuk i mora me kërcënime, i mora me pëlqimin e palës tjetër.

Duket pak e besueshme që dikush të të jap një vlerë kaq të madhe parash me dëshirën e plotë dhe në fund të të dërgojë në një sallë gjyqi, gjithsesi vërtetësia e kësaj deklarate i mbetet drejtësisë. Padashur të tregohemi paragjykues, le të pranojmë se paraqitja e Loredanës në konferencë ishte ajo që tërhoqi vëmendje më shumë se fjalët që ajo tha. Askush nuk e priste që  ajo të paraqitej  me syze dhe qëndrimin tipik si një gangstere për të shpjeguar situatën dhe për t’i treguar atyre që e ndiqnin versionin e saj të ngjarjes. Besojeni ose jo, pas konferencës ajo ka marrë kohën e vet për të bërë edhe foto me fansat e saj që e prisnin jashtë dyerve të ambjentit ku u mbajt konferenca.

Pak orë më vonë u xhirua videoklipi dhe në gjithë këtë kohë Loredana ka qenë më shumë se zakonisht aktive në Instagram.

Sa për të kuptuar gjithë këtë po shtojmë edhe një detaj të fundit: Nga e gjithë kjo ajo fitoi disa followers më shumë!

Orë pas ore shifrat në profilin e saj në Instagram filluan të rriten dhe tashmë ajo numëron 1,387,000, pra duke u shtuar me rreth 123 mijë ndjekës më shumë.

Doni apo nuk doni, jeni fansa apo jo, çudia e gjithë kësaj zallamahie është se edhe nga rrethanat negative, mediatikisht Loredana e shfytëzoi situatën. Dashur pa dashur të gjitha mediat shkruan për të papushim dhe vazhdojnë të shkruajnë, kudo po kërkohet një prononcim prej saj nga gazetarët, numri i ndjekësve u rrit dukshëm etj etj.

Pra le të themi se çuditërisht është në kulmin e famës, kaq e kërkuar sa është sot nuk ka qenë asnjëherë deri tani!

Përtej ngjarjes për t’u habitur është sjellja dhe përballja e saj, aq e pabesueshme sa pati dhe një deklaratë nga çifti Loredana -Mozzik në konferencë: se mediat kishin shkruar keq për ta dhe kjo i kishte bërë të ndihen të ofenduar.  Epo askush nuk duhet të harrojë se për një person publik gazetarët janë “në të mirë e në të keq” edhe pse jo gjithmonë i duan.

Nuk jemi të sigurt për fajësinë apo pafajësinë e askujt, në kohët e sotme rrjedhjes së informacionit nuk i shpëton dot qofsh i pastër apo i inkriminuar. Ajo që plotësisht mund të thuhet për këtë situatë është kjo: ka ende për t’u zbuluar mbi situatën në fjalë, dhe ende për t’u parë nga ana e Loredanës!


Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë VIRAL në facebook : PAMFLETI

Aktualitet Aktivitetet Hetimi Loredana