Aktualitet11 Tetor 2018, 08:25

Ndërkombëtarët trondisin politikën, kërkojnë listën me emrat VIP prapa hekurave

Shkruar nga Pamfleti
Ndërkombëtarët trondisin politikën, kërkojnë

Kërkon listë me emra deputetësh, ministrash e ish-ministrash të hetuar dhe arrestuar

Bashkimi Europian kërkon listë me emra pushtetarësh të arrestuar apo hetuar për korrupsion me qëllim hapjen e negociatave në qershor. Të martën Parlamenti Europian miratoi raportin e komisionerit Knut Fleckenstein për Shqipërinë, ku theksi është vendosur te dy aspekte: Lufta ndaj korrupsionit në nivele të larta dhe ngritja me urgjencë e SPAK dhe e Byrosë së Hetimit. Por Brukseli ka lënë afat deri vitin tjetër që të dëshmohet vullneti për luftën ndaj korrupsionit.

Javën që lamë pas u mbajt në Tiranë samiti dy ditor i ministrave të Ballkanit me përfaqësues të BE.  “Sot” ka siguruar raportin e dalë nga ky takim, ku BE kërkon rezultate konkrete nga reforma në drejtësi. Sipas raportit, kjo matet duke listuar të gjithë të hetuarit, akuzuarit apo dënuarit, sidomos ata për afera korruptive.

“Ministrat i bënë thirrje Komisionit të punojë me CEPEJ për të identifikuar një numër treguesish kyç, si buxheti i caktuar për një sistem gjyqësor (në veçanti gjykatat dhe prokuroritë), të dhënat mbi raportin e çështjeve të zgjidhura me ato të regjistruara, ngarkesën e çështjeve dhe kohën e kërkuar për zgjidhjen e rasteve, si dhe të dhënat e rasteve disiplinore dhe atyre të korrupsionit, të cilat mund të japin informacion për statusin dhe performancën e sistemeve gjyqësore, si dhe për progresin e reformave të drejtësisë”, thuhet në raport.

Pra BE kërkon fakte konkrete, kërkon emra të hetuar apo dënuar, në mënyrë që të dëshmohet luftë ndaj korrupsionit në nivele të larta. Brukseli gjithmonë ka kërkuar arrestime në nivel ministrash, ish-ministrash e deputetësh. Tani mbetet të shihet se çfarë do bëjë qeveria e prokuroria.

 Aty kërkohet me urgjencë ngritja sa më shpejt e Byrosë së hetimit dhe SPAK. Pra e gjithë vëmendja e ndërkombëtarëve është te ngritja e organeve antikorrupsion.

“Teksa vlerësojmë përmirësimet e rëndësishme të bëra nga Shqipëria për të forcuar kornizën e saj ligjore dhe institucionale, si dhe progresin e arritur në luftën kundër krimit të organizuar, mbetemi të shqetësuar për nivelin e lartë të korrupsionit, ritmin e ngadaltë dhe joefikasitetin e sistemit të drejtësisë dhe fakti që mangësitë e sundimit të ligjit dhe procedurat e vështira rregullatore vazhdojnë të pengojnë investimet në vend”, thuhet në deklaratën e deputetëve. Ndërsa në rezolutë kërkohet:Finalizimi i ngritjes së organeve të specializuara, përkatësisht Strukturës Speciale Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe Byrosë Kombëtare të Hetimeve (BKH).

Aktualitet Arrestime Nderkombetaret politikane