Kosova20 Nëntor 2022, 20:28

· Prishtine

Shkruar nga Pamfleti
· Prishtine

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shprehur optimiste lidhur me diskutimet që pritet të bëhen të hënën midis Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

Amerika shpreson që Kosova dhe Serbia të arrijnë një marrëveshje në ditët në vijim për çështjen e targave.

Nga Departamenti amerikan i Shtetit thanë për Radion Evropa e Lirë se pajtohen me Bashkimin Evropian që zhvillimet e fundit janë shqetësuese dhe se vënë në rrezik përparimin e arritur në dialog.

“Të gjitha palët duhet të ndërmarrin hapa për të ulur tensionet dhe për të siguruar paqe dhe stabilitet. Veprimet dhe retorika që rrisin mundësinë e dhunës, vënë në rrezik të panevojshëm jetën e personave të pafajshëm dhe të forcave paqeruajtëse ndërkombëtare në terren”, ka thënë një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit.

Ndryshe nga Shtetet e Bashkuara, presidenti serb, Aleksandar Vuçiç ka thënë se nuk beson që bisedimet e së hënës për targat do të sjellin ndonjë rezultat.

“Unë do të shkoj në Bruksel. Nuk mendoj se mund të bëjmë diçka, por po shkoj që të mos jap arsye që Serbia të akuzohet se nuk dëshiron të bëjë asgjë”, tha Vuçiq më 20 nëntor në një intervistë për televizionin Prva.

Në po të njëjtën ditë, Policia e Kosovës ka njoftuar se vendimi për shqiptim të gjobave prej 150 euro do të hyjë në fuqi nga 22 nëntori, një ditë më vonë se që ishte përcaktuar më parë.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian vazhdimisht i kanë kërkuar Qeverisë që të shtyjë afatin për konvertimin e targave ilegale të lëshuara nga autoritetet e Serbisë në ato legjitime RKS.

Prishtine Albin Kurti Aleksandar Vuçiq bashkimi evropian Marrëveshje për targat SHBA

Kosova