Kosova 4 Nëntor 2022, 15:30

Në Berlin e takoi Bërnabiçin, Lajçak i shkon sot Vuçiçit në Beograd

Shkruar nga Pamfleti
Në Berlin e takoi Bërnabiçin, Lajçak i shkon sot

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, pritet të takohet të premten në Beograd me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Presidenca serbe ka njoftuar se takimi do të fillojë nga ora 18:30, mirëpo nuk ka bërë të ditur se cilat do të jenë temat e diskutimit.

Ky takim po zhvillohet pas Samitit për Ballkanin Perëndimor që u mbajt në kuadër të Procesit të Berlinit më 3 nëntor, ku Serbinë e përfaqësoi kryeministrja Ana Bërnabiç.

Pas Samitit ajo tha para gazetarëve se ka pasur një bisedë të ndarë me shefin e diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, dhe me të dërguarin për dialogun, Mirosllav Lajçak, me të cilët tha se ka folur për çështjen e riregjistrimit të veturave në Kosovë që kanë targa të lëshuara nga Serbia.

Takime të ndara me dy përfaqësuesit e lartë të BE-së pati edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili njoftoi se ndër temat e diskutuara me ta ishte edhe vendimi për targat.

Prishtine Aleksandar Vuçiq dialogu Kosovë-Serbi Miroslav Lajčák

Kosova