Shkruan Enver Robelli
Donald T. thotë: votat që kam marrë unë janë «legale», votat që ka marrë Joe Biden janë «ilegale».
Kaq e thjeshtë është puna. Kështu nuk argumenton ndonjë president i një republike bananesh, por presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Donald T. godet mediat, të cilat në bazë të projeksioneve e shpallën Bidenin të zgjedhur si president. Donald T. më 2016 nuk kishte asgjë kundër kur mediat e shpallën fitues. Atëherë gajasej nga gëzimi.
Sot bërtet nga hidhërimi.
Pasionet e Donald T. janë: Twitteri, loja e golfit dhe teoritë e komplotit. Deri më tani Donald T. teoritë e komplotit i shumëzonte falë televizionit propagandistik «Fox News». Pas zgjedhjeve dhe duke e parë se Donald T. ka humbur, «Fox News» vendosi të merret me gazetari.
Kjo e zemëroi Donald T.
«E kanë harruar ata patën e artë», tha T. Në shqip i bie mbase kështu: «Fox News» e ka harruar lopën që qet tambël. Por krahasimi me patën e artë përshtatet më mirë nëse marrim parasysh dominimin e ngjyrës së portokalltë në kokën e Donald T.
Pata e pjekur merr një ngjyrë të portokalltë. Ose disi të përafërt. Një bojë donaldiane.
Ndërkohë, çdo ditë në SHBA zbulohen 150 mijë të infektuar me koronavirus. Çdo ditë vdesin nga 1000 veta.
Dhe i barrikaduari në Shtëpinë e Bardhë thoshte: pini detergjent se ju kalon.
Donald T. beson ende se ai është fituesi i zgjedhjeve. Por shyqyr që është këndej Christopher Krebs.
Ai është shef i Cybersecurity and Infrastructure Security Agency (CISA), pra homolog i Zafir Berishës (nejse, ky humor ishte i pashmangshëm), pra zoti Krebs është si të thuash përgjegjës për integritetin e zgjedhjeve.
Këtë javë Krebs lëshoi një komunikatë në të cilën thuhej se zgjedhjet e 3 Nëntorit kanë qenë «më të sigurtat në historinë e Amerikës.
Nuk ka dëshmi se ndonjë sistem zgjedhor i ka shlyer, humbur, ndryshuar apo deformuar votat».
Donald T. prapë do të vazhdojë ta keqpërdorë Twitterin për të thënë se ia kanë vjedhur fitoren.
Dhe Twitteri në çdo Tweet të tij do të ndërhyjë duke thënë: mos i besoni, përveçse kur shkruan për golf.