Dy të rinj në Elbasan janë gjetur mbrëmjen e djeshme në gjendje shoku, të shtrirë në mes të rrugës. Blutë bëjnë me dije se të miturit, të moshës 15-vjeçare kishin konsumuar alkool në një lokal dhe kjo i kishte shkaktuar gjendje shoku.
Ata kishin qenë në një festë, por kur ishin kthyer për në shtëpi nuk ishin ndjerë mirë dhe ishin rrëzuar në rrugë. Qytetarët njoftuan ambulancën dhe policinë dhe të miturit u dërguan në spitalin e Elbasanit.
“Mbrëmjen e djeshme, në Spitalin e Elbasanit, kanë shkuar për ndihmë mjekësore, dy të mitur të moshës 15 vjeç , banues në Elbasan. Dy 15 vjeçarët ishin në gjendje të dehur pasi në ambientet e një lokali në Qytetin e Elbasanit, gjatë një feste ditëlindjeje kishin konsumuar pije alkoolike. Në zbatim të ligjit ” Për mbrojtjen e të miturve nga përdorimi i pijeve alkoolike dhe energjike”, Inspektorati i Shtetëror Shëndetësor Elbasan, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Elbasan i ka vendosur masë administrative këtij subjekti tregtar.” – shkruhet në njoftimin e Policisë.