Editorial 1 Tetor 2018, 17:06

Në pikëpyetje aftësia që të reagojmë si shoqëri e civilizuar ndaj pushtetit të inkriminuar

Shkruar nga Pamfleti
Në pikëpyetje aftësia që të reagojmë si

Në pikëpyetje aftësia që të reagojmë si shoqëri e civilizuar ndaj pushtetit të inkriminuar

Nuk mund të themi se si shoqëri nuk e kemi ende fuqinë të reagojmë kur krimi ndodh. Por a mundet dhe a e kemi ne fuqinë t’i ndryshojmë gjërat që ai të parandalohet.

A e kemi ne aftësinë dhe fuqinë të krijojmë një sistem vlerash dhe garancish që monstruozitete sociale të mos shpërthejnë kaq brutalisht?

Publiku mësoi rastësisht për ngjarjen e rëndë të vajzës nga Nikla që u dhunua. Pak ditë më pas, mësoi për një tjetër krim monstruoz, në një familje në Durrës. Secila prej këtyre janë vetëm dy ndodhi, në tablonë e madhe të jetës shoqërore shqiptare.

Krimi në Shqipëri po shpërfaqet në format tij më të padëgjuara dhe është bërë e vështirë që t’i rendisësh se cila ndodhi është më e rëndë se tjetra. Ai po ndodh aq shpesh, sa shoqëria jonë e konsumuar me një ngjarje nuk po gjen fuqi të reagojë më pas për tjetrën.
Kjo bombë shoqërore, fatkeqësisht po na shqetëson kur ajo ka shpërthyer dhe ne fillojmë e reagojmë kur shohim “viktimat” e saj. Ne ende nuk po dukemi në gjendje ta shuajmë fitilin, përpara se ai të shpërthejë.

Gabimisht, edhe kutin tonë të civilizimit e shikojmë vetëm me masën e reagimit më pas. Kjo nuk është gjë e keqe, porse kostot i ka më të mëdha sesa shpenzimet për t’i parandaluar.
Nga ana tjetër, në shoqërinë tonë është krijuar kulti i të fortit, abuzimi është parë si mjet për të mbijetuar, për të rrojtur pa meritë, po bëhet pjesë e ADN-së sonë. Një sistem antivlerash po e përdorim si vlerë, sepse nuk duam të jemi viktima e radhës.

Por mesa duket jemi gabim, sepse faktet po tregojnë që “pakti” nuk funksionon. Shteti dhe krimi janë bërë një dhe ndodhen në pushtet, siç treguan rastet e deputetëve të implikuar që, edhe pse u mbrojtën me vetëmohim, u përshfaqën keqazi të përfshirë në rrjetet e trafikut ndërkombëtar të drogës dhe krimit të organizuar. Sistemi ynë politik ka aftësinë e pabesueshme të tërheqë brenda tij njerëz problematikë me shoqërinë, duke arritur sa sot të kemi nivelin më të ulët të përfaqësimit me integritet profesional dhe njerëzor në Kuvend, që prej fillimit të demokracisë.

Ndaj veprimi më serioz që duhet të bëjmë si shoqëri është të reagojmë dhe të investohemi për të krijuar një sistem të ri vlerash, përzgjedhje dhe barrierash, të cilat duhet t’ju kufizonte këtyre njerëzve të dhunës aksesin në të gjitha shkallët e pushtetit. Ky duhet të jetë kuti i fuqisë sonë për të reaguar. Përndryshe, modeli i tyre i përhapur si virusi do të na mbysë aq sa krimin që ndodh do ta trajtojmë si ndodhi të zakonshme.

Editorial Në pikëpyetje aftësia që të reagojmë si shoqëri e civilizuar ndaj pushtetit të inkriminuar