Aktualitet19 Tetor 2019, 20:16

Negociatat, dy anët e një medalje: Zaev shpalli zgjedhjet e parakohëshme, Rama as që e mendon

Shkruar nga Pamfleti
Negociatat, dy anët e një medalje: Zaev shpalli zgjedhjet e

Negociatat, dy anët e një medalje: Zaev shpalli zgjedhjet e parakohëshme, Rama as që e mendo

Kryeministri maqedonas, megjithëse i zhgënjyer, teksa cilësoi vendimin e Macron kundër hapjes së negociatave një gabim historik, pranoi dhe përgjegjësinë e vet. Kreu i qeverisë shqiptare cilëson fajtor presidentin francez, ndërsa refuzon zgjedhjet, deri më 2021. Rama e Zaev janë në të njejtën “varkë”, por mënyra se si i përballojnë dallgët politike përcakton dhe nivelin e “sentimentit” të burrit të shtetit që mbartin. Post-refuzimi i BE për negociatat tregoi qartë se në “dejet” e Edi Ramës nuk rrjedh përbërje burrë shteti, por vetëm llum

Shqipëria e Maqedonia e Veriut, një ditë pas “tërmetit” që shkaktoi presidenti francez Macron me votën kundër hapjes së negociatave me BE, kanë qasje të ndryshme ndaj këtij vendimi.

Nëse në të dyja vendet ka një ngjashmëri përsa i përket kërkesës së opozitave respektive për largim të kryeministrave Edi Rama dhe Zoran Zaev nga qeverisja, si dhe sulmet ndaj Macron për penalizimin që bëri, në Shqipëri po ndodh diçka shumë ndryshe me Maqedoninë e Veriut.

Opozita maqedonase i sulet Zaevit, duke e goditur për dritëshkurtësinë e orientimit ndaj BE së pabesë, dhe aluduar se duhej të ishte ndjekur rruga më e shkurtër dhe më e sigurtë, ajo e bashkëpunimit të ngushtë me aleatin historik dhe të natyrshshëm, Rusinë.

Njëherësh, po opozita dhe media maqedonase në mënyrë frontale e sulmon qeverinë e Zaev për mungesë kohezioni, fuqie për të luftuar korrupsionin dhe dështimin me gjykatën speciale, por asnjëherë nuk kanë himnizuar presidentin francez Macron, dhe as vlerësuar qëndrimin e tij.

Ndërkohë që në Shqipëri, opozita dhe mediat afër saj sulmojnë Ramën për mendjelehtësinë me të cilën e mori procesin e negociatave, pasi nuk kishte realizuar asnjë nga kërkesat e artikuluara nga vendet e BE, për ngritjen e institucioneve të drejtësisë, luftën kundër krimit e korrupsionit dhe bllokimin e azilkërkuesve në vendet e BE.
Teksa i kërkojnë dorëheqjen dhe futjen e vendit në zgjedhje të parakohëshme, opozita dhe opinion-bërësit në Shqipëri që janë afër saj kalojnë në gabimin tjetër, atë të cilësimit të Macron si një “hero” për Shqipërinë, me qëndrimin që mbajti kundër hapjes së negociatave për ne.

Në të njejtën gjatësi vale me frymën në vendet respektive ka qënë dhe qasja e kryeministrave Rama dhe Zaev, ndaj përgjegjësisë së brendshme për dështimin e hapjes së negociatave me BE në Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut.
Kryeministri maqedonas Zoran Zaev, në vijim të deklarimit të tij se do të jepte dorëheqjen dhe do çonte vendin në zgjedhje të parakohëshme nëse dështon me negociatat, menjëherë pas kthimit ka diskutuar me partinë e tij dhe aleatët, për t’i propozuar Presidentit hyrjen e vendit në zgjedhje.

Ndonëse kishte gjithë partinë që kryeson kundër, aleatët kundër, Zaev ka arritur të imponohet dhe nesër në takimin me Presidentin Pendarovski do të shkojë me propozimin e unifikuar për zgjedhje të parakohëshme, në ditën dhe momentin më të shpejtë të mundshëm.

Çka do të thotë se, nëse Presidenti e pranon një propozim të tillë, pak gjasa ka që ta hedhë poshtë, Maqedonia e Veriut do të shkojë në zgjedhje të parakohëshme në datën më të afërt që përcakton ligji dhe Kushtetuta.
Ndonëse e ka cilësuar vendimin e BE nën presionin e Francës si një gabim historik, ndonëse është shprehur se Shkupi i kishte realizuar të gjitha detyrat e dhëna, ndonëse ishte tejet i zhgënjyer nga ky vendim, Zoran Zaev pranoi dhe përgjegjësinë e vet, teksa tha se vendimi i BE është bërë dhe për shkak të problemeve të brendshme të pazgjidhura, të cilat Maqedonia e Veriut nuk mund t’i ndryshojë.

Ndërkohë që në Shqipëri po ndodh e kundërta me kryeministrin Edi Rama, i cili ia ka hedhur tërë fajin presidentit Macron dhe Francës, të cilët sipas tij kanë vendosur për qëllime thellësisht të politikës së saj të brendshme që të refuzojë hapjen e bisedimeve të Shqipërisë me BE.

Gjithë trupa qeveritare dhe mediat afër saj kryqëzojnë Macron, si një njeri që po tenton të vendosë në kandar egon e tij politike dhe të Francës, në kurriz të vendeve të vogla, për të goditur njëherësh dhe Gjermaninë e Merkel në ikje.

Rama ka ngritur një skenar të tërë konspirativ kundër Francës e atyre që i thanë “jo” Shqipërisë vetem e vetëm në funksion të evitimit të zgjedhjeve të parakohëshme, zhvillimin e të cilave më se njëherë e ka mohuar në mënyrë kategorike.

Duke ia vënë fajin Macron dhe vënë veten në rolin e viktimës në këtë proces, Rama këmbëngul se nuk do të ketë zgjedhje deri në vitin 2021, pasi vendi nuk është në krizë, negociatat dështuan për shkak të skeptikëve të BE dhe jo qeverisë shqiptare dhe se të gjithë e kanë gabim.

Qëndrime të tilla të Ramës e bëjnë atë që të dallojë ndjeshëm nga homologu i tij maqedonas Zaev, i cili megjithëse u penalizua jo vetëm nga Franca, por dhe nga Shqipëria, për shkak se u refuzua ndarja e çështjeve mes tyre, po e çon vendin në zgjedhje të parakohëshme.

Zaev tha se qytetarët e kanë në dorë vendimin “për të shkuar në rrugën e drejtë të vlerave demokratike e evropiane, të zhvillimit e mirëqenies, apo në rrugën e errët të izolimit, nacionalizmit, ndarjeve dhe konflikteve, që është rruga e cila të kthen prapa”.

Rama e Zaev janë në të njejtën “varkë”, por mënyra se si i përballojnë dallgët politike përcakton dhe nivelin e “sentimentit” në burrit të shtetit që mbartin. Post-refuzimi i BE për hapjen e negociatave tregoi qartë se në “dejet” e Ramës nuk rrjedh përbërje burri shteti, por vetëm llum./Pamfleti

Kryesore dy anët e një medalje: Zaev shpalli zgjedhjet e parakohëshme negociatat Rama as që e mendon