Aktualitet16 Dhjetor 2018, 10:09

Nesër nis shpërndarja e shpërblimeve për pensionistët, si do procedohet dhe ku do bëhet ndarja

Shkruar nga Pamfleti
Nesër nis shpërndarja e shpërblimeve për pensionistët,

Pensionistët shqiptarë duket se do ta nisin javën mbarë. Kjo për faktin se duke filluar nga dita e nesërme, të gjithë pensionistët mund të tërheqin shpërblimet prej 5 mijë lekësh të reja që qeveria vendosi të japë në prag të festave të fundvitit. Lajmi u bë i ditur ditën e djeshme nga drejtori i Përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado. Ai deklaroi gjatë një prononcimi për mediat se shpërndarja e shpërblimeve do të bëhet, sipas një kalendari të përcaktuar dhe Posta do të punojë me orar të zgjatur.

“Ditën e hënë në mëngjes nis procesi i shpërndarjes së shpërblimeve dhe të gjithë ata që kanë datën në këtë grafik, pavarësisht nga llojet e pensioneve, do ta marrin shpërblimin bashkë me pensionin. Dhe të gjithë ata, po themi ata që e kanë marrë pensionin ditën e hënë, 3 dhjetor do të lihet që të hënën pasdite të marrin shpërblimet, në varësi të grafikut të cilin do ta publikojmë”, deklaroi drejtori i ISSH. Nga ana tjetër, drejtori Hado dha disa detaje, teksa argumentoi se në rastet kur pensionistët nuk do të duan ta tërheqin shpërblimin për arsye të ndryshme, nuk do të ketë asnjë penalitet, pasi sipas tij, mund ta tërheqin edhe në 2019. “Për ata që për arsye të ndryshme nuk e tërheqin shpërblimin, ose nuk paraqiten, shpërblimi do të vazhdojë t’i paguhet edhe gjatë 2019-ës”, u shpreh Hado.

Ndërkohë, drejtori i Institutit të Sigurimeve Shoqërore sqaroi gjithashtu se të gjitha pikat e postës do të punojnë me orar të zgjatur. “Duke filluar nga ora 8 e mëngjesit deri rreth mesditës, punonjësit e Postës do t’u shpërndajnë pensionin atyre që kanë ditën dhe pasdite do të shpërndajnë shpërblimin vetëm për ata persona që u ka kaluar data e marrjes së pensionit. Sigurisht, që do të punojmë me orar të zgjatur. Numri total i përfituesve është 650 mijë e 600 përfitues”, nënvizoi ditën e djeshme drejtori i Përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado, ndër të tjera në fjalën e tij.

Sociale Nesër nis shpërndarja e shpërblimeve për pensionistët si do procedohet dhe ku do bëhet ndarja