Aktualitet13 Maj 2019, 10:52

Nexhmije Hoxha: Një përgjigje për neofashistët

Shkruar nga Pamfleti

Nexhmije Hoxha: Një përgjigje për neofashistët

Në valët e këtij debati që është hapur për Luftën antifashiste muajt e fundit, nisur nga një projekt-rezolutë që Instituti i Studimit për Pasojat dhe Krimet e Komunizmit deshi të kalonte në parlament, janë përfshirë studiues, historianë dhe intelektualë të ndryshëm, të cilët janë vënë në mbrojtje të kësaj lufte.

Në një bisedë me Nexhmije Hoxhën, bashkëshorten e Enver Hoxhës dhe një nga pjesëmarrëset e luftës që po shkon drejt të 100 vjetëve, para disa ditësh ajo shprehu mirënjohjen për të gjithë ata që po mbrojnë atë luftë që e shpëtoi Shqipërinë nga copëtimi dhe e radhiti në krahun e duhur të historisë, në krahun e fitimtarëve të mëdhenj të asaj lufte. Çuditërisht nuk na rekomandoi t’u referoheshim veprave të Enverit, por na rekomandoi një vepër artistike, një poemë të njohur.

Por, shtoi ajo, e quaj të panevojshme të përfshihem edhe unë në atë debat. Pse?

– I ka thënë Shevqet Musaraj të gjitha tek poema e mrekullueshme “Epopeja e Ballit Kombëtar”. Më mirë nuk mund të thuhet artistikisht e vërteta e asaj lufte dhe mbi bëmat e Ballit gjatë luftës. Shevqeti ka qenë një shkrimtar shumë i mirë dhe një njeri i mrekullueshëm, të cilin e kam patur mik. Prandaj ua rekomandoj ta lexojnë të rinjve që nuk i kanë njohuritë e duhura për luftën dhe që mund të krijojnë iluzione e të mashtrohen nga ato akuza dhe ai vrer që hidhet edhe sot e kësaj dite nga kundërshtarët tanë të dikurshëm dhe pinjollët e tyre.

***

Etapa e letërsisë shqiptare e viteve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, qe përfaqësohet gjithashtu në krijimet e shtypit ilegal, si shprehje e qëndresës antifashiste, lëvroi një letërsi revolucionare, kryesisht poezi qytetare dhe patriotike. Poema satirike “Epopeja e Ballit Kombëtar” (1944) e Shevqet Musarajt është krijimi më i shquar i kësaj kohe dhe një nga veprat me të bukura të epokës që erdhi më pas, kohë kur janë realizuar edhe veprat më të rëndësishme të letërsisë shqipe dhe artit shqiptar që sot sulmohen aq egërsisht nga një institut që financohet me paratë e taksapaguesve shqiptarë.

Shevqet Musaraj e ka njohur qysh në kohën e Luftës Enver Hoxhën dhe ka këmbyer letra e krijoi një miqësi të gjatë me udhëheqësin komunist të Shqipërisë.

Gjatë kohës së luftës Shevqet Musaraj mbante pseudonimin Shkrimtari. Me këtë pseudonim ai ka nënshkruar një varg letrash nisur Enver Hoxhës, Nako Spiros, etj,  për shumë çështje të rëndësishme të Partisë e të organizimit të luftimeve, letra që ruhen në fondin 14 në AQSH.  Nga letrat që dërgon, del se Musaraj kryesisht ka operuar në kryeqytet në Tiranë, nga ku e nis edhe këtë letër për Enver Hoxhën.

Letrën e ka shkruar në dy kohë një pjesë me 25 maj dhe pjesën tjetër me 26 maj 1944. Në këtë letër ai informon ndër të tjera eprorin e tij se ka pasur arrestime dhe se reaksioni ka qenë i fortë. Në banesën e Mustafa Krujës është vënë re lëvizje e madhe personalitetesh të qeverisë, informon Musaraj duke shpjeguar se janë hapur fjalë që do të ketë ndryshime në qeverinë kuislinge.

“Do të vijë në fuqi Gjon Markagjoni dhe Fiqri Dinija (domethënë një kombinacjon fashisto-zogist këtë radhë), kurse Deva, i cili akoma s’është kthyer, do të marrka guvernatoratin e Kosovës”, shkruan Musaraj.  Më tej ai informon për gjendjen aspak optimale në radhët e Ballit Kombëtar i cili po dobësohet dita-ditës, ndërsa Abaz Kupi bën thirrje që të shpërbëhet Balli e forcat e tij të inkuadrohen në radhët e zogistëve.

Më tej në këtë letër pasi i raporton Hoxhës për disa aksione të forcave Nacional-çlirimtare,  Musaraj i shpjegon në pjesën e dytë të letrës shkruar me 26 maj më hollësisht kërkesën e elementëve të Ballit për t’iu bashkuar Frontit Nacional Çlirimtar.

***

Për kolaboracionizmin e Ballit dhe të krerëve të tij, për luftën që bëri krahas pushtuesve kundër partizanëve antifashistë, janë shkruar mijëra artikuj e libra që në kohën e luftës e ma pas. Por, sikurse kam shkruar edhe diku tjetër se poema “Epopeja e Ballit Kombëtar” e Musarajit është padyshim vepra më goditëse,më stigmatizuese e më demaskuese që ka ngjitur më shumë në popull.

Shevqet Musaraj nuk e ka patur të vështirë shkrimin e kësaj poeme qysh në vitet e luftës. Ai ka qenë vetë një pjesëmarrës aktiv i asaj lufte në radhët partizane dhe e dinte shumë mirë historinë e luftës dhe në mënyrë të veçantë historinë e Ballit, njihte emrat e kryeballistëve që do të ktheheshin në personazhe të veprës së tij. Pikërisht kjo histori ka përcaktuar edhe strukturën e poemës që është konsideruar si një nga krijimet më të bukura të kohës së luftës dhe për luftën. Duke ndjekur rendin kohor të ngjarjeve, me një stil të thjeshtë dhe të qartë që kuptohet qartë nga të gjithë lexuesit, ai e demaskoi veprimtarinë tradhtare dhe kolaboracioniste të ballit dhe zogistëve, që nga fillimi dhe deri sa ia mbathën në nëntorin e 1944-s bashkime pushtuesit e mundur.

***

Edhe vetë ballistët e kanë ndjerë me kohë, qysh në zjarrin e luftës, efektin e këtij krijimi artistik dhe ndoshta nuk u ka dalë edhe sot e kësaj dite inati me autorin. Aq e vërtetë është kjo sa që mjafton ky fakt për ta besuar tmerrin e ballistëve për Epopenë:

Në gjysmën e parë të viteve ’90 të shekullit të kaluar, kur Partia Demokratike mori pushtetin dhe Sali Berisha u bë president i vendit, filluan të ktheheshin nga jashtë edhe ballistë e pinjollë të tyre të arratisur në fund të vitit 1944. Disa nga këta ballistë kërkuan dhe gjetën shtëpinë e shkrimtarit Shevqet Musaraj, i cili ishte ndarë nga jeta disa vite më parë. Thuhet se disa ishin edhe të armatosur. Pa u prezantuar se cilët ishin në të vërtetë, kërkuan të hyjnë brenda dhe me dhunë bastisën shtëpinë, morën librat dhe një pjesë të dorëshkrimeve të shkrimtarit, të cilat në mënyrë demonstrative publikisht i dogjën para shtëpisë së Shevqetit.

Kjo ngjarje nuk është e sajuar, por një e vërtetë e frikshme që u shfaq aq egërsisht afro 30 vjet më parë. Një akt tipik fashist, si ai i Hitlerit që digjte librat e shkrimtarëve revolucionarë nëpër sheshe gjatë viteve të pushtetit të tij dhe gjatë luftës…


Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë VIRAL në facebook : PAMFLETI

Kam takuar shumë njerëz që dinë përmendësh vargje e strofa të tëra nga “Epopeja…” e Shevqet Musarajit dhe i kujtojnë ato me njëri-tjetrin sa herë bie fjala për sulmet balliste dhe neoballiste kundër luftës. E ka thënë bukur Çeçua (siç e thërrisnin shokët dhe miqtë Shevqetin): “Do bëjmë luftë/ de more de, / si lum ti popull/ mezi na ke!…” Dhe qeshin. Ç’të bëjnë tjetër?

Kur u hap kjo puna e institutit të Tufës dhe u botua ajo lista e gjatë me 265 emrat e “kriminelëve” udhëheqës të luftës, heronj dhe dëshmorë të saj, shumë nga të afërmit e atyre që përmenden në atë listë vendosën të hedhin në gjyq këtë institut dhe ballistët që e kanë hartuar atë listë. Gjatë një bisede shkrimtari Gjikë Kurtiqi, i cili e ka për zemër humorin dhe e shkruan atë me shumë shije, tha:

– Duhet patur edhe pak mëshirë për ballistët. Kur të shkojë ndonjë ballist në gjyq mund të frikësohet dhe të kërkojë mëshirë se nuk e përballon dot dënimin që mund t’i jepet. Atëherë, që ballisti të lirohet nga sikleti, nga përgjegjësia penale apo morale t’i kërkohet të lexojë në sallën e gjyqit dhe me zë të lartë publikisht “Epopenë e Ballit Kombëtar”. Vetëm kështu mund të mbyllet davaja me ballistët… Mendoj se kaq është e mjaftueshme. Ua falim edhe gomarllëqet që bëjnë pas 75 vjetësh…

***

Shevqet Musarajt mbase nuk i ka shkuar kurrë nëpër mend se Balli Kombëtar do të ringjallej një ditë dhe ashtu si në kohën e luftës, neoballistët do të ecnin në të njëjtat gjurmë të të parëve të tyre me të njëjtin mllef dhe frymë revanshi kundër antifashistëve.  Nuk i kishte shkuar ndërmend se “Epopeja…”e tij do të hynte sërish në punë me të njëjtën freski dhe aktualitet si atëherë kur e shkroi atë.

Prandaj vendosëm ta botojmë të plotë këtë poemë në DITA, jo vetëm për të rifreskuar kujtesën, por edhe si një përgjigje dinjitoze që u ka dhënë shkrimtari i shquar neoballistëve dhe neofashistëve të sotëm./Xhevdet Shehu/dita/

Dossier Nexhmije Hoxha: Një përgjigje për neofashistët