Editorial24 Korrik 2019, 11:00

Nga restaurimi tek urdhri i shembjes. Si e ndryshoi posti arkitekten Elva Margariti 

Shkruar nga Pamfleti
Nga restaurimi tek urdhri i shembjes. Si e ndryshoi posti arkitekten Elva

Nëse ka një vendim për të cilin Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, duhet të ndihet e turpëruar, është ai për zbrazjen e menjëhershme të ambjenteve të Teatrit Kombëtar që i hap rrugë më pas prishjes së tij. Sot, forca të shumta policie kanë rrethuar godinën më të përfolur të këtyre muajve, gjoja për ta mbrojtur nga ata që kundërshtojnë prishjen e saj, por edhe për të zbatuar urdhrin e Ministres së Kulturës për zbrazjen, çka do t’i hapë përfundimisht rrugë projektit Fusha-Rama.

Sipas dëshmisë së artistëve që tashmë ruajnë ditë e natë, zonja Elva Margariti, arkitekte e shkolluar në Firence (siç thotë ajo të paktën sepse edhe diploma e saj është vënë në pikëpyetje nga shumë kritikë), ka lëshuar një urdhër për zbrazjen e menjëhershme të godinës. Po kështu, po me urdhër të saj është tentuar të bllokohet dhe furnizimi me ujë dhe me energji elektrike.

Në të njëjtën ditë me këto zhvillime dhe me protestën e artistëve që po vijon në 24 orë të ditës, Agjencia e Prokurimit Publik ka nxjerrë thirrjen për Komisionin e Vlerësimit, ku do të paraqiten projekte të reja për ndërtimin e Teatrit Kombëtar.

Por le të mbetemi për pak tek Elva Margariti. Është i njëjti emër që kur u emërua Ministre e Kulturës, u pa si drita e shpresës për komunitetin e artistëve dhe publikut që ka dalë kundër këtij akti që do të zhdukë një pjesë të rëndësishme të historisë së artit skenik shqiptar. U pa si dritë, sepse ende e pamësuar me urdhrat dhe ultimatumët e Ramës, Elva foli si arkitekte dhe ndoshta edhe si dashamrisëse e teatrit. Në një intervistë për Report TV ajo është shprehur ndër të tjera: Të flasësh vetëm për arkitekturën e teatrit është ta minimizosh shumë. Përsa është folur për restaurimin e kam thënë dhe vazhdoj ta them se janë dy filozofi që ndjek shkolla e restaurimit që është ajo e restaurimit të vëllimeve apo e restaurimit konservativ të vlerës së vërtetë të një godine. Edhe në reatin konkret të teatrit tonë, vlera e shtuar e atij teatri ka qenë materiali i përdour sepse nuk pritej t’i rezitonte kohës deri tani”, pat thënë ajo duke shtuar se i dukej me e arsyeshme hapja e një debati nëse dhe si duhej të restaurohej teatri. Çka natyrisht rriti shpresat e artistëve se më në fund një zyrtar i lartë do të vinte arsyen në punë. Gjë që natyrisht, si me çdo anëtar tjetër të kësaj qeverie, nuk ndodhi.

Por pasi i tërhoqën veshin e pasi nuk e ç’bënte dot atë që kishte thënë, arkitektja Elva Margariti lështoi perlën e parë. Ishte koha kur, natën dhe fshehurazi, të dërguarit e Erion Veliajt u munduan të shkulnin gërmat në godinën e Teatrit Kombëtar. Për vetë natyrën e këtij gjesti, natyrisht u pyet edhe ministrja, e cila me pafytyrsinë më të madhe tha se tanimë ishte dakort me shembjen dhe se gërmat u hoqën sepse përbënin rrezik për qytetarët!!

Që nga ajo kohë, Elva Margariti është munduar ta shmangë “çështjen teatër” në çdo dalje publike apo intervistë. Me urdhër të saj është hequr nga faqja e Report TV edhe intervista e famshme ku thoshte se Teatri nuk duhej shembur, por restauruar, dhe nëse sot gjendet një gjurmë e saj është ajo e zbardhur nga media të tjera, të ndryshme nga Report TV. Çka sidoqoftë nuk e ndryshon të vërtetën. Duke shkelur mbi çdo parim profesional edhe kjo ministre kulture do të përfundojë si pararendësja e saj: një përfituese me ç’të mundet të kapë dhe kaq. Turp për të!

Dje Elva Margariti ka firmosur urdhrin e zbrasjes së menjëhershme të Teatrit Kombëtar. Ndërsa nesër do të bëjë sehir ndërsa ajo shembet. Artistët janë betuar ta mbrojnë me gjak godinën që duan tua zhdukin nga sipërfaqja tokës dhe sa herë bie fjala tek arkitektja ministre shpesh pyesin: A kanë, të paktën, ndërgjegje këta soj njerëzish. Artistët shqiptare nuk kanë asnjë përfitim tjetër përveçse moral e shpirtëror sa i takon godinës së Teatrit Kombëtar. Po këta soj politikanësh që ndryshojnë si nata me ditën sapo marrin një post shtetëror, a munden t’i rregullojnë llogaritë me veten vallë?/Pamfleti

Editorial Nga restaurimi tek urdhri i shembjes Si e ndryshoi posti arkitekten Elva Margariti