Politike27 Maj 2018, 08:59

Nisin debatet për protestën, “garda e vjetër” pranë LSI sulmojnë Bashën, mediat ndërkombëtare bojkotojnë sërish Kr

Shkruar nga Pamfleti
Nisin debatet për protestën, “garda e vjetër”

Nisin debatet për protestën, “garda e vjetër” pranë LSI sulmojnë Bashën, mediat ndërkombëtare bojkotojnë sërish Kryemadhin

Protesta e opozitës ka zënë dje dhe një hapësirë të gjerë tek mediat ndërkombëtare. Media si “Associated Press”, “Washington Post”, “Agjencia e lajmeve AP”, “Fox News” e shumë të tjera i kushtuan një vëmendje të gjerë protestës së opozitës ku u kërkua dorëheqja e ministrit të Punëve të Brendshme, Fatmir Xhafajt. Por edhe pse një vëmendje e gjerë mediatike ajo ç’ka ra në sy ishte se mediat ndërkombëtare ashtu si në protestën e 27 janarit 2018, edhe këtë herë bojkotuan sërish kryetaren e LSI, Monika Kryemadhi, e cila ndonëse nuk mbajti fjalim para protestuesve, foli para mediave në lidhje me protestën.

Kështu, gazeta prestigjioze amerikane “Washington Post”, në artikullin me titullin “Opozita shqiptare mblidhet për të kërkuar dorëheqjen e qeverisë”, nënvizon se mijëra mbështetës të udhëhequr nga kreu demokrat Lulzim Basha bënë thirrje për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, duke evituar komplet pjesëmarrjen e LSI në protestë. “Mbështetësit e udhëhequr nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, marshuan përgjatë bulevardit dëshmorët e kombit, duke thirrur “Rama ik”. Ata mbanin postera anti-qeveritarë dhe flamuj shqiptarë dhe të Bashkimit Evropian ndërsa disa hodhën gurë dhe objekte të forta drejt ndërtesës së kryeministrisë dhe Ministrisë së Brendshme”, thekson Washington Post. Ndërkohë nga ana tjetër të njëjtën gjë kanë bërë dhe mediat e tjera ndërkombëtare.

Nisin debatet për protestën
Protesta e djeshme e opozitës kundrejt qeverisë ka ndezur debate të shumta në radhët e opozitarëve. Mediat dhe portalet pranë Lëvizjes Socialiste për Integrim kanë nisur dje pas protestës të sulmojnë dhe të ironizojnë njëkohësisht me kreun demokrat Lulzim Basha në lidhje me protestën e mbajtur. Kështu një pjesë e madhe e mediave dhe portaleve të rreshtuara krah LSI, e cilësuan protestën si tepër të butë dhe me një pjesëmarrje shumë herë më të vogël nga sa kishte paralajmëruar kreu demokrat Lulzim Basha. Madje ato ironizuan gjithashtu edhe me mënyrën sesi u mbyll protesta nga ana e kreut demokrat duke e cilësuar si të pavend ndërhyrjen e tij tek protestuesit.

Por pavarësisht kësaj ajo ç’ka bie në sy është se protesta e djeshme ka treguar qartë një thyerje mes aleancës PD-LSI pasi përveç sulmeve të mediave të rreshtuara krah LSI, edhe Kryemadhi me deputetët e saj nuk iu bashkua protestës deri në fund. Madje pati një mospjesëmarrje të theksuar të militantëve të LSI në protestë si dhe të shumë deputetëve të kësaj force. Megjithatë ngelet për tu parë në ditët në vijim sesi do të procedohet mes Bashës dhe Kryemadhit për vijimin e aleancës.

Garda e vjetër sulmon Bashën
Garda e vjetër ka rinisur dje sërish sulmet ndaj kreut demokrat Lulzim Basha. Pas përfundimit të protestës, anëtarja e Këshillit Kombëtar të PD, Edit’h Harxhi përmes një postimi në profilin e saj në Twitter thumboi drejtpërdrejt kreun e PD, Lulzim Basha. Harxhi teksa e cilësoi protestën dhe fjalimin e Bashës si të dështuar e akuzoi kreun e PD se dhe ky i fundit është në të njëjtin kazan me palën e akuzuar dhe se shumë shpejt do të shikoj fundin. “Po tani që e “hoqëm” Xhafajn dhe “rrëzuam” qeverinë çfarë do bëjmë? Xhiro nëpër Tiranë!

Si nuk e përmende një herë Edi Ramën me emër në fjalimin tënd epik? Ti përfundimisht nuk zhgënjen me askënd as veten tende. Përfundimisht establishment! Në kazan je edhe ti, por do rrokulliset shpejt”, tha Harxhi. Ndërkohë nga ana tjetër sulmeve u është bashkuar dhe ish-nënkryetari i PD, Astrit Patozi, i cili ashtu si dhe Harxhi e cilësoi protestën si një teatër të Bashës. “Sot pamë “LIVE”, me zë e me figurë, me dron dhe pa dron, shfaqjen e rreme në kryeqytet të Babaleve, që na udhëheqin. Të atyre, që janë në qeveri, dhe të tjerëve që janë në opozitë”, tha ai/Sot

Politike