“Një bijë e ndjeshme”, Rudina Hajdari reagon ashpër: Nuk do t’ju lejoj të deformoni të vërtetën

Rudina Hajdari vijon “betejën” me gazetën Panorama , pas artikullit “Zbulohet Raporti Sekret i SHIK në 98: Konflikti mes Azem Hajdarit e Haklajve për hasmëri dhe trafik armësh”.

Reagimi i Rudina Hajdarit

Mendova se kam qenë e qartë në përgjigjen time ndaj Gazetës “Panorama”, por mesa duket Kryeredaktori i saj e ka keqkuptuar thelbin e përgjigjes time. Për këtë arsye jam e detyruar të përsëris edhe njëherë mesazhet kyçe që kam deklaruar.

Së pari, taktika kryesore e përdorur nga redaktorët, është cënimi i drejtëpërdrejtë që i bëhet imazhit tim duke e trajtuar reagimin si një shkrim emocional i prekur personalisht nga përmbajtja e artikullit. Gazeta Panorama, që në titullin e saj, më ka përshkruar thjeshtë si një bijë të ndjeshme që reagon ndaj humbjes së babait të saj. Por aludimi se kjo replikë është e motivuar vetëm nga dhimbja ime është thellësisht i gabuar.

Reagimi im apelohet nga motive të mirëfillta ligjore, morale dhe etike. Panorama ka shfaqur mesazhe ezoteriste në lidhje me të kuptuarit e çështjeve të ngritura me natyrë ligjore, morale dhe etike e që përbëjnë pjesën thelbësore të artikullit në fjalë. Arsyeja që po bëj këtë analize është për të qartësuar lexuesit shqiptarë që e duan të vërtetën si dhe për vetë imazhin e Panoramës.

Në respekt të rregullave ligjore dhe të kushtetutës, asnjë gazetë perëndimore nuk do të publikonte artikullin që publikoi Panorama dhe aq më tepër të aludonte dhe t’i referohej materialit si “top sekret” dhe se ky dokument kaq sekret dhe kaq i rëndësishëm mas plot 20-vitesh ra në dorë të një gazetari të ri, pa kaluar disa duar të tjera, sepse ky dokument do të përdoret tashmë gjatë një proçesi gjyqësor.

Edhe në vendin më të prapambetur të botës një publikim i këtij kalibri në media duhet të kërkojë asistencë ligjore të profesionalizuar përpara se të bëjë komente rreth një proçesi gjyqësor, që është aktual apo që pritet të zhvillohet. Asnjë zyrë ligjore, apo jurist i kontraktuar nga një gazetë me një reputacion të gjërë publik nuk do të kishte sanksionuar publikimin e një raporti të tillë. Në shoqëritë Perëndimore apo Europiane, vendimi për të publikuar një artikull të tillë pa pasur asnjë provë bindëse për vërtetësinë e tij do të çonte drejt gjobave të rënda, pasojave ligjore për gazetarët, dhe të cënimit të imazhit të saj publik. Vetë organi i akuzës kryesisht duhet të procedojë dhe të sekuestrojë sa më parë këtë raport “Top Sekret”. Në rast të kundërt Gazeta Panorama ka kompromentuar një proces të tërë gjygjësor.

Nga ana morale dhe etike, Panorama nuk merr asnjë përgjegjësi për veprimet e saj në lidhje me këtë artikull të veçantë. Në praktikën e vendeve të BE-së, redaktorët i referohen një kodi editorial të sjelljes, i cili kërkon një përballje të përgjegjshme me të vërtetën përpara se ta publikojë por mesa duket redaktori i Panoramës nuk e kupton as ligjin, as përgjegjësitë e punës së tij,

Unë nuk do të lejoj asnjë gazetar që për interesa të ulëta dhe meskine apo subversive të deformojë të vërtetën dhe të paraqesë raporte të tipit “Top Sekret” për të ushtruar presion mbi drejtësinë dhe opinionin publik si dhe për të cënuar imazhin dhe veprën e cilitdo heroi që ka dhënë jetën për demokracinë dhe lirinë në Shqipëri. Shqiptarët nuk meritojnë të ofendohen dhe të lexojnë publikime të tilla, por duhet të lexojnë artikuj që raportojnë të vertetën, që përmbajnë informacione të dobishme, korrekte me ligjin dhe të paanshme në mënyrë që misioni i çdo shtypi të lirë në Shqipëri të jetë në rradhë të parë një frymë që laicizon vetveten, dhe jo thjeshtë një rutinë e mbushur me pavërtësi për të kaluar kohën e lirë.