Gjithmonë do të ketë një shkak dhe ngjarje të papritur te Partizani për të sjellë zhurmën e madhe dhe skandalin e radhës. Këtë herë çështja është shumë më serioze, teksa “Panorama Sport” raporton se klubi i të kuqve është dënuar me 1 vit pa merkato dhe 80 mijë euro gjobë. E gjitha kjo ka ardhur pas denoncimit të Istrës që ka kërkuar një vlerë financiare nga Partizani në kohën që bleu Eraldo Çinarin, pasi ekipi kroat zotëronte një përqindje të kartonit.
Kampionët e Superiores nuk kanë dhënë asgjë dhe do ta paguajnë shtrenjtë këtë gabim. Ndërkohë një dënim me 4 muaj mungese në aktivitete e merr edhe vetë sulmuesi.
“Demat” mund të shesin lojtarë, por nuk mund të afrojnë. Gjithnjë nëse vendimi mbetet në fuqi, pasi mësohet se klubi i kuq është vënë menjëherë në lëvizje për ta zgjidhur problemin.
Pavarësisht këtij dënimi të rëndë, drejtuesit e Partizanit nuk ka ndërmend të dorëzohen përballë këtij vendimi pasi të kontaktuar nga “BalkanWeb” kanë konfirmuar se këtë çështje do ta dërgojnë në CAS, të bindur se në transferimin e Çinarin nuk kanë kryer asnjë parregullsi.