Aktualitet16 Dhjetor 2018, 10:24

“Nuk do gjejnë vrimë për t’u futur”, reprezalje në politikën shqiptare, avokati tregon se si do hapen dos

Shkruar nga Pamfleti
“Nuk do gjejnë vrimë për t’u futur”, reprezalje

"Nuk do gjejnë vrimë për t'u futur", reprezalje në politikën shqiptare, avokati tregon se si do hapen dosjet ekorrupsionit nga viti 1991

Reforma në drejtësi do të sjellë reprezalje në politikën shqiptare. Përmes krijimit të organeve të reja, pritet që shumë dosje të korrupsionit dhe krimit të organizuar të hapen për të çuar para drejtësisë fajtorët e vërtetë. Gjatë kësaj jave që po lemë pas u ngritën Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, organe të cilat i hapin rrugë më pas krijimit të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Strukturës së Posaçme Antikorrupsion.

Pikërisht struktura e fundit do të ketë të drejtë të hetojë zyrtarë të larta, kryeministrin, ish-kryeministra, presidentin, drejtorë, deputetë, ish-zyrtarë apo ish-politikanë, etj. SPAK do të marrë përsipër çdo dosje të korrupsionit dhe të krimit të organizuar, ndërsa ligji i ri i jep të drejtë kësaj strukture të posaçme që ta shtrijë aktivitetin e saj deri në dosjet e vitit 1991. Një gjë të tillë e bëri të ditur ditën e djeshme avokati Saimir Vishaj, i cili njëkohësisht drejton Shoqatën e Avokatëve Penalistë në Shqipëri, si edhe është anëtar i komisionit të monitorimit të organeve të reformës në drejtësi.

Gjatë një aktiviteti të zhvilluar me avokatë, për të ndarë mes tyre çmimin “Toga e Artë”, Saimir Vishaj deklaroi se SPAK do të ketë mundësi të hetojë dhe rihetojë çdo dosje korrupsioni deri në vitin 1991. Sipas tij, një e drejtë e tillë ka shkaktuar frikë tek politikanët. Ai i paralajmëroi këta të fundit se kushdo që është i përfshirë në afera, nuk do t’ia hedhë dot paq.

“Ligji i ri i jep të drejtë SPAK, prokurorisë së Posaçme dhe Gjykatës së Posaçme, i jep të drejtë, të gjitha veprat penale që kanë lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar, t’i shtrijnë efektet përtej afatit të parashtrimit që nga viti 1991. Prandaj politikanët tanë dridhen sot, se e ndjejnë frikën. Kush i ka ngjyer duart, kush i ka duart të pista, do të jetë në bankën e të akuzuarve”, deklaroi Saimir Vishaj.

Detaje më specifike për këtë çështje avokati dha dy ditë më parë një studio televizive, ku sqaroi edhe sesi do të funksionojë hetimi i dosjeve të korrupsionit që nga viti 1991.

“Cila është arma më e fortë e SPAK? Nëse veprat penale të ndodhura në Shqipëri, të gjithë prokurorët i kanë futur nëpër sirtare, apo politikanët i kanë mbuluar, dhe ligjërisht ndjekja penale nuk mund të bëhet më po kaloi një afat x, 5 vjet, etj., sipas marzhit të dënimit. Ligji i ka dhënë të drejtë SPAK të fillojë procedimin penal mbas vitit 1991. Pra, edhe pse kemi kaluar 27 vite ku politikanë, zyrtarë kanë menduar që kanë kryer shkelje dhe janë harruar, ata vetë, me iniciativën e tyre, pavarësisht se i ka kapur instituti i parashtrimit që janë vepra korrupsioni apo ka lidhje me krimin, nuk mundet që për veprat që hyjnë në rrethin e objekteve të SPAK që është korrupsioni, krimi nuk do t’i shpëtojë asnjë zyrtar, ministër, deputet çfarëdo lloj funksioni të ketë pasur ai”, tha Vishaj.

Ai u shpreh i bindur se në vend ka prokurorë të guximshëm që do të jenë të aftë të marrin përsipër hetimet e dosjeve të tilla dhe të çojnë pas hekurave zyrtarët e lartë dhe politikanët.

“Mjafton që anëtari i SPAK, prokurori i Prokurorisë së Posaçme ta iniciojë atë dhe nuk do të gjenë vrimë për tu futur, pavarësisht majtas apo djathtas. Ka prokurorë të guximshëm, por duhen kryer një vit, dy vjet hetime për një deputet a një zyrtar dhe pastaj do të shkohet te arrestimi. Do japin llogari një më një, prandaj disa nuk kanë dashur dhe nuk kanë dhënë dakordësi. Nuk ka më Prokurori të Përgjithshme që të urdhërojë filloje hetimin, pushoje apo pezulloje”, deklaroi Saimir Vishaj.

Aktualitet